“Gjyqtari abuzoi 2 herë me diskrecionin” – Emmerson kërkon që Apeli ta urdhërojë lirimin e Veselit

Ben Emmerson

Në Gjykatën Speciale në Hagë është apeluar vendimi i gjyqtarit paraprak që ia kishte refuzuar Kadri Veselit lirimin nga paraburgimi.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, në ankesën e tij dërguar në Apel, ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou, ka abuzuar me diskrecionin e tij në dy raste me arsyet e dhëna në vendimet e nxjerrura për refuzimin e lirimit.

VIDEO:

Në këtë formë, Emmerson ka kërkuar që Paneli i Apelit të urdhërojë lirimin e përkohshëm vet, dhe mos t’ia kthejë çështjen gjyqtarit paraprak.

“Së fundi, mbrojtja pohon se trajtimi i këtij shqyrtimi të paraburgimit nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake pas paraburgimit nga Gjykata e Apelit nuk është kryer në mënyrë të paanshme dhe në mirëbesim. Ai e trajtoi këtë çështje si një fakt të kryer dhe më pas u përpoq të justifikonte këtë përfundim. Për këtë arsye, Mbrojtja me respekt kërkon që Gjykata e Apelit të urdhërojë vetë lirimin e përkohshëm, në vend që t’ia kthejë çështjen gjyqtarit të procedurës paraprake. Ai ka abuzuar dy herë me diskrecionin e tij për të njëjtën çështje, dhe për këtë arsye nuk do të ishte e përshtatshme që çështja të vendoset në ushtrimin e diskrecionit të tij për herë të tretë”, thotë Emmerson në parashtresat e tij.

Në ankesën e tij Emmerson ka thënë se gjyqtari paraprak ka dhënë konstatime mbi garancën e Policisë pa i kërkuar kësaj të fundit pyetje shtesë mbi përmbajtjen që atij i ka interesuar.

Sipas Emmerson, gjyqtari ka konstatuar se Policia e Kosovës “ka dështuar” të ofrojë në garancë shembull të mëparshëm të zbatimit të kushteve të lirimit, mirëpo që një gjë e tillë sipas avokatit nuk i është kërkuar fare Policisë.

“Sa i përket dështimit të SHPK-së për të ofruar “shembuj të mëparshëm” të zbatimit të kushteve të kërkuara, mjafton të theksohet se SHPK-së nuk iu kërkua një gjë e tillë. Përsëri, nëse gjyqtari i procedurës paraprake mendoi se kjo ishte e nevojshme, ishte detyrë e tij të kërkonte informacionin në mënyrë specifike. Për më tepër, pasi SHPK-ja konfirmoi përvojën e rasteve të mëparshme, në mungesë të ndonjë prove për të kundërtën, gjyqtari i procedurës paraprake nuk ishte i hapur për të dyshuar në vërtetësinë e një deklarate të tillë”, ka shkruar ai.

Emmerson tutje është shprehur shumë i indinjuar me konstatimet e gjyqtarit paraprak se Veseli “mund t’u transmetojë mesazhe të koduara mbështetësve përmes fëmijëve të tij dhe gruas”.

Këto argumente të gjyqtarit paraprak, Emmerson i ka quajtur “ndër më të dobëtat” dhe prova për një qasje të anshme.

“Ashtu si me çdo element të vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, analiza e tij nxjerr në pah një paracaktim për të vendosur kundër lirimit të përkohshëm të mbështetur nga arsyet më të dobëta, në vend të një shqyrtimi të vërtetë dhe të paanshëm gjyqësor të faktorëve që priren në favor dhe kundër lirimit të përkohshëm. Rrjedhimisht, Mbrojtja pohon se gjyqtari i procedurës paraprake i është qasur këtij aktvendimi pa e ushtruar diskrecionin e vërtetë gjyqësor me paanshmërinë e duhur”, ka thënë Emmerson.

Me këtë rast, Emmerson ka kërkuar që Kolegji i Apelit  të ndryshojë vendimin që kundërshton lirimin nga paraburgimi dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të Veselit të shoqëruar me çdo kusht që konsiderohet i nevojshëm.

Një vendim nga Kolegji i Apelit në Speciale pritet të mirret së shpejti jo vetëm për Veselin, mirëpo edhe për të bashkë-akuzuarit tjerë në këtë rast, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.