Greva e punonjësve shëndetësorë, PRAK: E papranueshme që pacientët të mbesim pa shërbime shëndetësore

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka shprehur shqetësim për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë.

Shoqata e Pacientëve thekson se viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë është i padrejtë kur dihet se ka masa të tjera që mund të përdoren është protesta dhe jo greva.

“Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes ndërrimit të mënyrës së pagesës, përkatësisht duke e ndarë blerësin nga ofruesi i shërbimit shëndetësor dhe duke e aplikuar pagesën për përformancë. Kjo nënkupton që të paguhet puna e mjekut dhe jo profesioni i mjekut!

VIDEO:

Forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vite pas luftës. Prandaj, e vetmja zgjidhje është reformimi i sistemit shëndetësor, përkatësisht implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet në reagim.

Punonjësit shëndetësorë sot në grevë të përgjithshme Punonjësit shëndetësorë sot në grevë të përgjithshme

PRAK më tej thekson “është e papranueshme që stafi mjekësor t’i përdor pacientët si ‘mish për top’ në ‘luftën’ që ata po bëjnë me Qeverinë për rritjen e pagave të tyre. Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i pa drejtë kur e dimë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është p.sh. protesta”.

“Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se qëllimi final i një shërbimi shëndetësor është shëndeti i pacientit. Nëse Kosova ka institucione shëndetësore të palicencuara si rezultat i të cilave kufizohet edhe ofrimi, përkatësisht pranimi i shërbimit shëndetësor, nëse lista e barnave esenciale nuk është duke u përmbushur, nëse 18% e pacientëve (sipas raportit të progresit për Kosovën) nuk shkojnë fare tek mjeku për shkak të pamundësisë financiare dhe 34% e tyre kanë vështirësi në marrjen e shërbimit shëndetësor, etj … atëherë lind pyetja, a është paga problemi i parë që duhet t’i jepet zgjidhje për të përmirësuar kualitetin dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët?!”

“Përmes kësaj komunikate, ju bëjmë thirrje përfaqësuesve sindikal që ta ndërpresin grevën dhe Qeverisë së Kosovës të reflektoj ndaj pakënaqësive të palëve dhe të përshpejtoj reformimin e sistemit shëndetësor”, thuhet më tej në reagim. /Telegrafi/

 

 

The post Greva e punonjësve shëndetësorë, PRAK: E papranueshme që pacientët të mbesim pa shërbime shëndetësore appeared first on Telegrafi.