Habib Zogaj rrëfen masakrën e fshatit “Burim” të Malishevës

Gazetari dhe reporter i luftës i REL dhe Agjencisë së Lajmeve “KosovaPress”, Habib Zogaj, arriti të bëjë dokumente përmes fotografive ku ai kapi të gjithë tmerrin që forcat serbe shkaktuan në 22 vjet më parë në fshatin “Burim” të malishevës, transmeton Insajderi.

Zogaj tregoi se si ndodhi masakra mbi popullatën e pafajshme të kësaj ane.

“Këtu ku jemi do të thotë fshati quhet Burim, emërtimi me gjasë vjen nga ky burim që po gurgullon këtu pranë nesh, përndryshe ky kroi këtu është quajt kroi i Mëhillit do të thotë është i lashtë… Popullata civile është ik nga shtëpitë e veta për t’u shmang më të keqes edhe për të gjetur strehë, sepse shtëpia e dytë e secilës gjallesë është mali edhe e njeriut në rrethana lufte dhe kanë ardh në shtëpinë e tyre të dytë, pra këtu që ta kenë edhe një pikë ujë afër vetes të tyre”, tha ai.

VIDEO:

Zogaj theksoi se në këtë masakër forcat paramilitare dhe ushtarake serbe përdorën sëpata, mjete të forta dhe gjësende dhe më pas tentuan të largonin trupat për të zhdukur gjurmët e masakrimit.

“Paramilitarët, kriminelët, ushtarët, policët i kanë rënë në gjurmë kësaj turme të popullatës dhe kanë ardh e kanë plaçkitur edhe i kanë nda burrat, me qëllim që t’ fusin në rreshtin e pushkatimit, dhe i kanë pushkatu. Një histori e shkurtër e kësaj ngjarje se ata edhe kanë dashtë me i zhduk ato gjurmë, i kanë ngarku me një traktor disa prej këtyre viktimave i kanë dërgu dikund por me gjasë komandantët e tyre nuk janë pajtuar me këtë të vërtet se ku do që do t’i kishin dërgu do të ishte më publike se ky vend këtu. Edhe janë kthye përsëri, kur janë kthye kanë shpërnda, pra këndej ka pas kufoma, këtu afër kroit ka qenë kufoma e prof. Ilaz Paçarizit me kokë të shpartalluar nga sëpata”, citoi ai.

E gjithë ajo çfarë ndodhi 22 vite më parë është e dokumentuar nga ish-fotoreporteri i KP-së, i cili thotë se është i gatshëm t’i dorëzojë tek institucionet, por thotë se për shkak të përmbajtjes së rëndë, do të dëshironte që ato të arkivohen derisa familjarët të jenë gjallë.

“Unë disponoj fotografi me të cilat dëshmohet se ata janë masakruar me sëpata, me sharra, me pjesë të metalta e me gjithçka tjetër. Por paraprakisht i kanë plaçkitur do të thotë qëllimi i tyre i parë ka qenë t’u marrin paratë. Ka histori të hidhura për secilin prej këtyre, ndoshta do të duhej me u rujt ato me u arkivu e mos mu publiku edhe për një 50 vjet për derisa familjarët e tyre janë të gjallë. Megjithatë unë kam arrit të siguroj saktë fotografitë e këtij krimi, këtij vendi, masakrës të moshës së Valonit që ishte nxënës i klasës 8 fillore, Valon Morina nxënës i shkollës fillore ‘Ganimete Terbeshi’ atëherë të Astrazubit e deri tek pleqtë e moshave të shtyra. Ka mbetur një dëshmitar i gjallë nga rreshti i pushkatimit i cili nuk është as ai tash. Nuredin Morina, kemi dëgjuar disa herë edhe rrëfimet e tij përndryshe krimi në vendin e ngjarjes konkretisht publikisht është i fotografuar në dy botimet e mija të fundit”, përfundon rrëfimin e tij ai.

22 vjet më parë edhe fshati “Burim” i komunës së Malishevës u masakrua nga forcat serbe. Masakër kjo më 31 mars të vitit 1999, më e madhja në rajonin e Malishevës, ku u masakruan 42 civilë, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të komunës së Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë. Nga 42 martirët e masakruar këtu, u vra dhe Valon Morina, i cili ishte vetëm nxënës i klasës së tetë.

Në nder për të kujtuar martirët e kësaj masakre të mërkurën e 31 masrit 2021 në fshatin Burim u bënë homazhe nga liderë shtetërorë, komunalë, por edhe qytetarë të shumtë. /Insajderi.com