Hamza të premten betohet si kryetar i Mitrovicës: Nuk kam vija të kuqe për askënd

Të premten, Bedri Hamza do të betohet si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës, si dhe do të bëhet edhe betimi i asamblistëve të zgjedhur në Kuvendin Komunal.

Hamza, në një prononcim për Insajderi.com tha se ende nuk ka zyrtarizuar ndonjë koalicion, por që ditët në vijim do të bëjë publik emrat e disa prej Drejtorëve Komunalë që do t’i ketë pjesë të ekipit.

“Nesër do të jepet betimi i asambleista dhe jam si kryetar, pastaj punën e Drejtorave i bëjmë publik kabinetin. Unë kam pasur koalicione parazgjedhore dhe nuk kam problem për shumicë”, tha Hamza.

VIDEO:

Tutje, ai shtoi se është i hapur për koalicione nëse partitë tjera opozitare kanë interes që të qeverisin së bashku, duke theksuar se ka ftuar në bisedë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

I pyetur se a mund të ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Hamza deklaroi se “nuk ka vija të kuqe për askënd”.

“Unë kam qenë i hapur, i kam ftuar për bisedë edhe LDK-në, kemi biseduar. Megjithatë, kjo është punë që secila parti i sheh interesat e veta politike, nëse dmth kanë interes kame qenë pjesë gjithmonë kanm qenë i gatshëm jam i hapur.

Jo unë nuk kam thënë që kam vija të kuqe për askënd”, shtoi tutje ai.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi në garën për kryetar të Komunës së Mitrovicës me 53.86 për qind të votave të fituara.

Ndërkaq, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje doli i dyti me 34.40 për qind të votave, dhe më pas i treti, Armend Agolli nga LDK me 11.74 për qind të votave./Insajderi.com