Haradinaj e quan “takim koti” ballafaqimin e sotëm të Kurtit me Vuçiq

Kryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “takim koti”, takimit e sotëm midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluar në Bruksel, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi dhe se ky proces duhet të mos i lihet në dorë Bashkimit Evropian.

VIDEO:

Haradinaj tha se në këtë proces secila palë ka vetëm një interes që ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve.

“Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi. Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve! Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”, ka shkruar ai.

“Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin! Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?”, shtoi më tej Haradinaj.

Kurti e Vuçiq kanë zhvilluar takimin e tyre të dytë në kuadër të bisedimeve që po vazhdojnë në Bruksel. Kryeministri Kurti tha se ka kërkuar nga pala tjetër nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes, por është refuzuar nga presidenti serb pa e lexuar fare. /Insajderi.com