Haradinaj tregon pse e pyeti Kurtin “Mos je njeri i Serbisë” – “Aliu, Sveçla e Haxhiu janë hajna, duhet të jenë në burg”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për deklaratat e tij të bëra në Kuvend drejtuar kryeministrit Albin Kurti, njofton Insajderi.

Haradinaj në “Debat Plus” thotë se nuk ka mundur të heshtë ndaj përgjithësimeve që kishte bërë Albin Kurti në Bruksel sa i përket kriminelëve të luftës në Ballkan.

“Kurti nuk e ndau Kosovën nga ajo deklaratë. Unë si ish-kryeministër nuk mund të mos e vlerësojë drejtë dëmin që kjo deklaratë i bënë Kosovës…Kurti foli me gjuhën e njëjtë për pjesëmarrësit në luftëra si për Mlladiqin, si për Serbinë si për mua”, tha ai.

VIDEO:

Sipas Haradinajt, Kurti në Bruksel ka folur me gjuhën e Serbisë, për atë arsye edhe e ka pyetur se “mos jeni rekrutuar nga Serbia”. Pra për shkak të dëmit që na ka bërë gjuha e tij nga Brukseli”.

Haradinaj thotë se deklarata e Kurtit në Bruksel ishte me e keqe se që kishte bërë Jabllanoviqi ndaj nënave gjakovare.

Kurti në Bruksel me 18 maj kishte deklaruar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”.

Haradinaj më tej gjatë këtij debati televiziv, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Kurti dhe disa ministrave të Qeverisë.

Ai tha se Ministrat Aliu, Sveçla dhe Haxhiu, janë hajna.

“Ministrat Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu janë hajna ordinerë dhe duhet të jenë në burg. Këta tre mua më kanë marrë në pyetje për “babën” e tenderëve Nexhat Krasniqi. Këta tre sot Nexhat Krasniqin e kanë bashkëpunëtorë. Tri herë rresht më kanë pyetur në interpelancë parlamentare për Nexhat Krasniqin”, tha Haradinaj.

“Më kanë thënë se ai është baba i tenderëve, vjedh tenderë e është kryekrimineli. Ai njeri sot është në ministri të Liburn Aliut, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë është Albulena Haxhiu që nuk mund ta bëjë punën pa ju përzie edhe burri që është presedan shumë i keq”, shtoi ai.

Haradinaj thotë se edhe Kurti bëhet palë me hajnat nëse ai nuk vepron ndaj këtyre ministrave.

“E kemi edhe Xhelal Sveçlën që thotë se do ta luftojmë krimin. Cilin krim? Ti je bashkë me krimin, flenë me të. Edhe Albin Kurti i bie të jetë hajn, pasi i ka ministra këta e nuk merr ndonjë vendim”. /Insajderi.com