Haxhiu takon Abbott – flasin për rishikimin e mekanizmave anti-korrupsion

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, si dhe zyrtaren për sundim të ligjit, Jennifer Blackeney, njofton Insajderi.

Në këtë takim, në një frymë bashkëpunimi ambasadori Abbott shprehi vullnetin për të zhvilluar partneritetin me institucionet e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë, për të forcuar rendin dhe ligjin.

VIDEO:

Ministrja Haxhiu falënderoi ambasadorin Abbott për rolin dhe kontributin e ambasadës britanike në fuqizimin e sektorit të drejtësisë.

Ajo tutje u shpreh optimiste për iniciativat e ndërmarra në drejtim të ngritjes dhe forcimit të rendit juridik në Republikën e Kosovës, veçanërisht pas besimit të madh të qytetarëve dhënë tashmë kësaj qeverie në zgjedhjet e fundit me ç’rast kjo edhe e obligon shumë më shumë qeverisjen e mirë drejt tejkalimit të krizave në të cilat është e vënë ajo.

Gjatë këtij takimi, theks i veçantë iu kushtua Rishikimit Funksional të sektorit të Drejtësisë, proces ky që vazhdon të ketë mbështetjen edhe nga Ambasada Britanike në Kosovë.

Ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë u potencua gjithashtu rishikimi i mekanizmave antikorrupsion.

Duke i uruar suksese ministres Haxhiu, ambasadori Abbott shprehi mbështetjen dhe përkushtimin e plotë për bashkëpunim në mes ambasadës që përfaqëson dhe dikasterit që drejton Haxhiu. /Insajderi.com