Helmimi në Deçan – Hidrodrini: Në 6 mostra nuk ka tejkalim të standardeve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” njofton se zyrtarisht ka pranuar rezultatet e analizave fiziko-kimike, sipas të cilave në asnjë nga gjashtë mostrat e marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka tejkalim të standardeve të përcaktuara, përcjell Insajderi.

Ndërsa, sipas njoftimit të ujësjellësit, për rezultatet bakteriologjike pasi mostrat janë mbjellur në terren ushqyese rezultat do të kumtohen nesër.

VIDEO:

“KRU ‘Hidrodrini’ ka pranuar zyrtarisht nga IKSHPK-j, rezultatet e analiza kimiko-fizike, bakterologjike dhe të metaleve të rënda, nga mostrat e mara nga ana e IKSHPK-së, në lokalitetet e dyshuara fillimisht për ujë të helmuar në zonën e Deçanit. Theksojmë se, rezultatet e analizave në fjalë, janë të mostrave të nxjerra nga IKSHPK, po në ditën e krizës, më 11.07.2021”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Tutje, KRU “Hidrodrini” thotë se ka kërkuar nga IKSHPK-ja “që të dërgojë edhe analiza tjera të bunarëve dhe të rrjetit si dhe të merret analiza e cila nuk është marrë, ajo në rezervarin e Drenocit të përsëritet, meqë ajo është marrë në gypin e shpërlarësit, në mënyrë që të sqarohet opinioni!”.

“Krahas kësaj, KRU ‘Hidrodrini’, ka kërkuar nga KRU ‘Gjakova’, që të zhvillojë analiza shtesë për këtë çështje, meqë kompania në fjalë posedon laboratorin e akredituar e për çfarë po punohet dhe opinioni do të informohet shumë shpejtë edhe me rezultatin e tyre”, thuhet më tutje në këtë njoftim.

Që nga e shtuna e 10 korrikut qindra qytetarë nga Deçani i janë drejtuar institucioneve shëndetësore me simptome të helmimit, Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes./Insajderi.com