Hoti pas marrjes së detyrës për udhëheqjen e Komisionit për Personat e Zhdukur: Serbia t’i hap arkivat e luftës në Kosovë

Ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti ditë  më parë u emërua udhëheqës i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur me forcë dhe njëkohësisht edhe udhëheqës i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, në kuadër të grupit punues.

“Këtë përgjegjësi institucionale, sa emocionale dhe të ndjeshme për shkak të plagës ende të hapur për fatin e më të dashurve tanë, e kam pranuar si detyrë mbi detyrat, që të jap maksimumin tim për shërimin e plagëve të secilit familjar në Kosovë për mungesën e familjarit të tyre tash e 22 vite”, ka shkruar Hoti.

Ai u ka bërë thirrje faktorëve ndërkombëtar që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të luftës së fundit në Kosovë.

Kurti emëron Andin Hotin Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur Kurti emëron Andin Hotin Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur

VIDEO:

Postimi i plotë:

Të dashur familjarë të personave të zhdukur me forcë gjatë gjenocidit të fundit të ndodhur në Kosovë,

Të respektuara shoqata jo qeveritare që merren me çështjen e personave të zhdukur dhe shoqëri civile,

Të nderuar qytetar,

Siç mund të jeni tashmë në dijeni, unë kam pranuar përgjegjësinë ta udhëheqë Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur me forcë dhe njëkohësisht edhe udhëheqjen e Delegacionit për bisedime për çështjen e përsonave të zhdukur në kuadër të grupit punues.

Këtë përgjegjësi institucionale, sa emocionale dhe të ndjeshme për shkak të plagës ende të hapur për fatin e më të dashurve tanë, e kam pranuar si detyrë mbi detyrat, që të jap maksimumin tim për shërimin e plagëve të secilit familjar në Kosovë për mungesën e familjarit të tyre tash e 22 vite.

Duke e konsideruar të rëndësishëm dhe të domosdoshëm bashkëpunimin me secilin qytetar, ju falënderoj nga zemra të gjithë Juve për mesazhet e shumta të urimit e mbështetjes dhe për ofrimin e bashkëpunimit në këtë proces.

Rezultatet varen shumë uniteti ynë dhe kontributi i secilit prej nesh, prandaj dua t’i falënderoj sinqerisht edhe ish udhëheqësit e Komisionit si dhe të Delegacionit në kuadër të Grupit Punues për punën e tyre dhe ofrimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Ndër parimet e mia udhëheqëse është transparenca, prandaj duke u zotuar për këtë, shpresoj shumë në bashkëpunim të ngushtë me mediat në Kosovë.

I vetëdijshëm për pengesat në këtë proces dhe sfidën e dialogut me Serbinë, dëshiroj të falenderoj me këtë rast faktorët ndërkombëtarë që e kanë mbështetur në vazhdimësi Komisionin dhe Delegacionin në përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, si Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, atë të Mbretërisë së Bashkuar, të Zvicrës, Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (KNPZH), Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Zyrën e BE-së në Kosovë, EULEX-in dhe të gjithë të tjerët që kanë ofruar bashkëpunimin e tyre.

Në të njëjtën kohë iu bëj thirrje faktorëve ndërkombëtar që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të luftës së fundit në Kosovë.

Adresa e vetme për çdo të zhdukur në Kosovë, është Qeveria e Serbisë, prandaj edhe adresa e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje është po e njejta.

Refuzimi për zgjidhjen e fatit të përsonave të zhdukur me forcë në luftën në Kosovë, nënkupton edhe një krim tjetër që bëhet edhe sot, 22 vjet pas luftës, atë HUMAN. /Telegrafi/

The post Hoti pas marrjes së detyrës për udhëheqjen e Komisionit për Personat e Zhdukur: Serbia t’i hap arkivat e luftës në Kosovë appeared first on Telegrafi.