Hoxhaj: Kandidatura e Lladrovcit temë e mbyllur, do të fitojë pa balotazh në Drenas

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se kandidimi i Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen gjatë kësaj vjeshte, është temë e mbyllur, transmeton Insajderi.

Ai ka thënë se kandidimet tjera nga dega e PDK-së në Drenas janë mendime të izoluara që s’e kanë përkrahjen e Kryesisë së qendrës, ashtu sikurse e ka çdo kandidat që ka qeverisur me komuna deri më tani.

VIDEO:

“Kandidati për kryetar të Drenasit është Ramiz Lladrovci që me vendim të Kryesisë së PDK-së është konfirmuar që të garojë në Drenas. Sikurse Agim Aliu në Ferizaj dhe kryetarët aktualë të komunave të tjera do të jenë kandidatë. Aty ku qeverisim ata kryetarë të vazhdojnë. Këtë ia kam bërë të qartë edhe Kryesisë së degës në Drenas dhe që kjo është temë e mbyllur. Kandidatura e Lladrovcit është temë e mbyllur”, ka thënë Hoxhaj në ‘KK’.

I pari i PDK-së derisa lavdëroi punën e deritanishme të Lladrovci në krye të Drenasit, tha se është i bindur që ai do të fitojë sërish, madje pa balotazh.

“Ne kemi komuna dhe shqetësime më të mëdha sesa bastionet e PDK-së siç është Drenasi dhe Skenderaj”. /Insajderi.com