Hoxhiq pasi u votua nga serbët hedh akuza drejt partive boshnjake: S’keni bërë asgjë për 20 vjet

Adrijana Hoxhiq

Adrijana Hoxhiq nga lista “Komuniteti i Bashkuar”, ka folur për kandidimin e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit, akuzat që i janë drejtuar nga kundërshtarët politikë të cilët pretendojnë se ka pasur një marrëveshje mes Listës Serbe dhe Iniciativës së saj që të votohet kjo e fundit si dhe kushtet e saj drejtuar qeverisjes së ardhshme.

Hoxhiq tha se komuniteti boshnjak është i pakënaqur me përfaqësuesit që i ka pasur deri më tash në institucionet e Kosovës.

VIDEO:

Sipas saj, komuniteti boshnjak është në një gjendje të tmerrshme, pa infrastrukturë të zhvilluar, pa arsim të mirëfilltë, etj.

“Kam qenë ministre në Pushtetin Lokal-11 muaj dhe kam pas mundësi që t’i vizitoj komunitetin boshnjak, dhe në përgjithësi ata janë të pakënaqur, edhe me rezultatet që deri tani reprezentueset tona të komunitetit boshnjak që i kanë arritur. E kam konfirmuar që gjendja e komuniteti boshnjak është në një gjendje të tmerrshme. Me kontributin tim kam dashur që t’i japim një kahje tjetër dhe t’i japim një shans që komuniteti boshnjak të mbetet në Kosovë. Nuk e di asnjë rezultat që ata e kanë arritur. Nëse shikoni lagjet ku jetojnë boshnjakët gjendja është e tmerrshme sa i përket infrastrukturës, edhe në fushën e arsimit, si edhe në sektorin ekonomik”, ka thënë Hoxhiq.

Ajo u shpreh se komuniteti boshnjak në Kosovë edhe pse për nga numri i banorëve është i treti, ata nuk kanë asnjë mundësi të vendimmarrjes në vend.

“E fundit dhe më kryesorja nuk ka persona të komunitetit boshnjak nëpër institucione. Komuniteti boshnjak është i tretë në vend dhe nuk ka mundësi që të marrë vendime për vetëveten dhe kjo ndërlidhet me kërkesën time, që së paku të ketë dy komuna me komunitet boshnjak. Ky do të ishte një mekanizëm stabil”, tha ajo.

E pyetur për akuzat e fundit nga kundërshtarët e saj politike se pretendojnë që ka pasur një marrëveshje mes Listës Serbe dhe Iniciativës së saj që të votohet kjo e fundit, Hoxhiq tha: “Po ju garantoj që jam i vetmi opcion që e ka siguruar secilën votë për programin që unë e kam shpalos. Njerëzit të cilët kanë bashkëpunuar me mua e dinë që unë fjalën e kam fjalë dhe më besojnë. Kam pritur që do të kem përkrahje nga të gjitha komunitetet, por të ju them të drejtën jam e befasuar që kam pas kaq numër të madh nga komuniteti serb. Komunat me shumicë serbe nuk janë më etnike. Ne nëpër këto komuna kemi edhe të etniteteve tjera kemi persona të cilët më kanë përkrahur. Kështu që nuk mund të themi që numrat nga Leposaviqi vijnë vetëm nga serbët. Kemi Kllokotin që është multietnik. E kemi Çabrën që është e Zubin Potokut e që jetojnë shumica shqiptarë. Në Mitrovicën e veriut shumica e shqiptarëve më kanë përkrahur mua”.

Hoxhiq tha se është e habitur se si janë duke luftuar Duda Balje dhe Emilja Rexhepi për t’i mbajtur ulëset e tyre në institucione duke e sulmuar atë, e që sipas saj që 20 vjet në përfaqësim të komunitetit boshnjak ato s’kanë bërë asgjë.

“Programi im flet për përkrahjen e komunitetit boshnjak. Kush e ka përkrah këtë program unë për besë nuk e di. Nuk ka asnjë marrëveshje mes meje dhe Listës Serbe. Jam e habitur me energjinë që e kanë shpalosur edhe Duda Balje dhe Emilja Rexhepi, në këtë garë dhe luftë për me i mbajtë ulëset e veta që i kanë mbajtë deri tani që 20 vjet e s’kanë bo kurrgjo për komunitetin boshnjak. Vallai të kishin punuar kaq shumë për komunitetitn boshnjak ne i kishim pasur këto komuna të themeluara para 10 vite, e unë s’kisha garuar tani fare”, tha ajo duke shtuar se është duke punuar që t’ua nxjerr propagandën që janë duke ia bërë. “E krejt kjo punë do të del në shesh. Unë jam duke punuar në këtë drejtim dhe do t’i marr të gjitha informatat dhe argumentet se si janë duke bërë këtë propagandë kundër meje personalisht. Ato e dinë shumë mirë që Adrijana Hoxhiq ka dhënë kontribut që njerëzit mua më respektojnë. Unë asnjëherë nuk kam dhënë premtime të cilat nuk kam mundur t’i realizoj. Unë nuk kam shkuar përmes portaleve, apo prej profileve të rrejshme në Facebook, unë krejt çka kam pas me ia thënë ia kam thënë krejt në fytyrë. Do të vjen koha që do ta kemi një debat njëra afër tjetrës”./Telegrafi/