Hyseni kritikon qeverinë dhe opozitën: Mos luani me fatin dhe të ardhmen e Kosovës!

Ish-Koordinatori Nacional për dialog dhe zyrtari i LDK-së, Skënder Hyseni, ka reaguar pas letrës që Sekretari Amerikan i Shtetit i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ku janë specifikuar saktë kërkesat amerikane sa i përket procesit të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hyseni, në një postim në Facebook, thotë se dialogu dhe marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë prioritet i parë i çdo Qeverie në Kosovë, derisa shton se pa vonesa ky proces duhet të rikthehet në binarë.

“Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur”, ka shkruar Hyseni, transmeton Telegrafi.

Ai ka kritikuar pozitën dhe opozitën.

“Edhe pozita edhe opozita, aktualisht e fjetur dhe kalkulante e Kosovës, duhet ta kuptojnë se sot asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afagjate serbe dhe interesat ruse sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontestit Kosovë-Serbi, dhe rrjedhimisht mbajtja e Ballkanit Perëndimor në gjendje permanente shpërthimi!”, ka shkruar Hyseni.

Postimi i plotë i Hysenit:

“Mos luani me fatin dhe të ardhmen e Kosovës!

VIDEO:

Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër!

Që nga rinisja e dialogut me Serbinë në korrik 2020 Kosova ia kishte idalur ta vendoste në binarë adekuat komunikimin me botën rreth kësaj teme, duke mos lejuar që shteti ynë të ekspozohej ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kishin prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan.  Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit ishte rikthyer në binarë.

Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur.

Pra, është përgjegjësi e autoriteteve aktuale të Kosovës që dialogu me Serbinë, si një proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë është thelbësore dhe e domosdoshme për të përmbyllur kontestin e gjatë historik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në thelb është edhe kontest në mes të shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi.

Çdo zvarritje e mëtejme e marrëveshjes me Serbinë, Kosovën mund ta betonojë në status-quo, e që në terma praktik do të thot izolim dhe rrezikim i vet shtetësisë dhe pavarësisë së saj.

Stabiliteti afatgjatë i Kosovës dhe konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë përmes rrumbullakësimit të subjektivitetit të saj nuk është i mundur pa një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund te ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo Marrëveshje. Janë çështje drejtëperdrejtë të lidhura. Në këtë kontekst, duhet urgjentisht të vendoset komunikim dhe koordinim sistematik me Administratën e re amerikane të Presidentit Biden. Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet pë mbajtjen në agjendë të Kosovës. Levat për arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete janë në këto kryeqytete, duke patur parasysh se Marrëveshja me Serbinë ka edhe një rëndësi të veçantë, e që është dobësimi i ndikimit  dhe rolit rus në Ballkan. Pra, qeveria e Kosovës duhet të harmonizojë politikat dhe interesat e saj me poltikat e partnerëve tonë në Ballkan dhe interesat e tyre.

Në kohën kur në qarqet ndërkombëtare, dialogu me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve vazhdon të jet prioritet numër një sa i përket Ballkanit, qeveria e Kosovës vazhdon politikën e saj injoruese ndaj thirrjeve gjithnjë e më eksplicite nga partnerët  e Kosovës. E fundit nga këto thirrje është letra e sekretarit amerikan Blinken dërguar kryeministrit Kurti me 11 janar, ku nënvizohet qartë urgjenca, pesha dhe rëndësia që ka dialogu me Serbinë  dhe normalizimi përmes njohjes së ndësjellë.

Është koha e fundit që kjo qeveri ta braktisë politikën e saj populliste dhe retorikën tensionuese e cila është në kundërshtim të plotë me interesat jetike të vendit.

Edhe pozita edhe opozita, aktualisht e fjetur dhe kalkulante e Kosovës, duhet ta kuptojnë se sot asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afagjate serbe dhe interest ruse sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontestit Kosovë-Serbi, dhe rrjedhimisht mbajtja e Ballkanit Perëndimor në gjendje permanente shpërthimi!

Kjo sjellje e kryeministrit aktual të Kosovës, e besa edhe e opozitës dëmton rëndë interesat afatgjata të vendit. Pozita dhe opozita po vetmjaftohen me pak pushtet dhe një grusht vota, e që duket se e kanë të vetmin preokupim, duke mos u lodhur fort për interesat afatgjata të vendit. Pra, duke injoruar tërsisht problemet reale dhe urgjencën e mbylljes së kontestit me Serbinë.

Ky rezon politik dhe kjo sjellje e pozitës e opozitës, Kosovën e dërgon në klubin e vendeve apo territoreve pa subjektivitet, ku mund të mbetet përgjithmonë, si një vend eksperimtesh dhe kusuritjesh në rrafshin global!

Këndelluni! Mos luani me fatin dhe të ardhmën e vendit!”, ka shkruar Hyseni.

Blinken i shkruan Kurtit: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta Blinken i shkruan Kurtit: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që Kosova të mbështetë zotimet paraprake.

Ai e ka bërë këtë deklaratë në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar Qeveria e Kosovës më 13 janar.

Blinken ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.

Sipas Sekretarit amerikan, natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesë për anëtarësimin dhe integrimin e plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka thënë ai përmes letrës.

Blinken mes tjerash ka bërë thirrje për shmangie të veprimeve dhe retorikës që mund t’i rrisë tensionet.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Më 2021, në kuadër të dialogut janë zhvilluar vetëm dy takime të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/

The post Hyseni kritikon qeverinë dhe opozitën: Mos luani me fatin dhe të ardhmen e Kosovës! appeared first on Telegrafi.