“I ka ndarë rrugët me LDK-në”, zyrtarja e Lidhjes Demokratike mohon rikthimin e Vjosa Osmanit pas largimit të Mustafës

Alma Lama

Alma Lama, kandidate për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se pas rezultatit jo të kënaqshëm të LDK-së, partia është në një proces reformimi.

VIDEO:

Në intervistën për Euronews Albania, Lama u shpreh se pas dorëheqjes së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, kushdo të vijë në krye do t’i japë partisë një frymë të re.

Sipas saj, largimi i kryetarit nuk është mundësi për rikthimin e Vjosa Osmanit sepse siç sqaroi dhe kandidatja për deputete, Vjosa Osmani dhe LDK-ja i kanë ndarë rrugët.

“Besoj se zonja Osmani i ka ndarë rrugët me LDK sipas deklaratave të saj kështu që nuk besoj se do të ketë një rikthim. Përveç kësaj edhe disponimi në strukturat e LDK nuk është i mirë pas asaj që ka ndodhur kështu që nuk e di por vlerësimi im është i tillë.”

Ajo sqaroi se pikërisht për shkak të rezultatit negativ të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, jo vetëm Mustafa por dhe kryesia e partisë ka dhënë dorëheqjen.

“Besoj që një kryetar i ri do të vijë nga strukturat e LDK-së, nga brenda LDK-së, nuk mund të importohet nga jashtë,” – tha Lama teksa sqaroi gjithashtu se ende nuk kanë kandidatura zyrtare.

Për kryetarin e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lama tha se duhet jo vetëm të jetë intelektual por të ketë aftësitë e duhura menaxheriale për të drejtuar partinë, ndërkohë që nuk mohoi se Avdullah Hoti ishte një figurë e përshtatshme por që nuk kishte shprehur pretendimet për të kryesuar LDK-në.