Italia dëbon dy zyrtarë rusë dhe thërret ambasadorin në raportim pas skandalit të spiunazhit

Luigi Di Maio

Italia e ka urdhëruar dëbimin e dy zyrtarëve rusë pas një skandali të spiunazhit, të cilit kryediplomati italian, Luigi Di Maio, e quajti incident shumë serioz.

VIDEO:

Kremlini ka reaguar duke thënë se shpreson që marrëdhëniet me Italinë të ruhen pavarësisht këtij rasti, shkruan Free Europe.

Policia italiane njoftoi të mërkurën se ka arrestuar një kapiten italian të forcave detare dhe një zyrtar ushtarak rus nën dyshimin për spiunazh.

Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë më vonë tha se për këtë rast e ka thirrur në raportim ambasadorin rus në Romë, Sergei Razov.

Kryediplomati Di Maio më pas tha se ka protestuar te ambasadori rus dhe e ka informuar atë për dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë incident shumë serioz.

“Karabinierët ndërhynë gjatë një takimi të fshehtë mes këtyre dy personave, të cilët u kapën menjëherë pas transferimit të një dokumenti nga zyrtari italian në këmbim të një shume të të hollave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” raportoi se kapiteni italian që është arrestuar mund të ketë pasur jo vetëm dokumente italiane, por edhe dokumente shumë sekrete të NATO-s, duke e vendosur në rrezik jo vetëm sigurinë e Italisë, por edhe të shteteve tjera.