Italia demolon Turqinë në ndeshjen hapëse – italianët mesazh të qartë rivalëve

Italia ka shënuar fitore në ndeshjen hapëse të EURO 2020, duke e mposhtur Turqinë me rezultat të thellë 3-0.

Italianët ishin më të mirë nga fillimi në fund, duke dhuruar spektakël me plot kuptimin e fjalës, me aksione dhe gola të bukur.

I pari që rrezikoi në këtë ndeshje ishte Lorenzo Insigne, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën në minutën e 18-të.

VIDEO:

Në minutën e 22-të, Giorgio Chiellini provoi me kokë, por portieri turk ishte në vend.

Ciro Immobile gjuajti në minutën e 33-të, por edhe ky nuk arriti të shënojë.

Italia në dy raste kërkoi penallti, por gjyqtari Danny Makkelie, nuk akordoi asnjërin.

Pjesa e dytë ishte më ndryshe, pasi që Italia ishte shumë më konkrete para porte duke gjetur golin që në start.

Domenico Berardi u fut në zonë harkoi fortë drejt portës, ku Merih Demiral në tentim për ta larguar topin, e dërgoi në portën e tij.

Ishte minuta e 53-të, kur Italia kaloi në epërsi prej 1-0.

Italia pas golit kishte dy raste të mira edhe pas golit me Ciro Immobilen dhe Lorenzo Insignen, por pa sukses.

Por nuk vonoi shumë dhe Italia gjeti edhe golin e dytë.

Ciro Immobile si një ‘bomber’ i vërtet, goditi bukur nga brenda zonës nga një top i kthyer dhe shënoi për 2-0 në minutën e 66-të.

Azurrët treguan dhëmbët deri në fund, duke mos u ndalur me ritëm të lartë dhe raste.

Në minutën e 79-të, Immobile pasoi bukur te Insigne që me stilin e tij të veçantë shënoi për 3-0.

Italia e nis me tri pikë dhe mesazh të qartë për rivalët aventurën në EURO 2020, ndërsa Turqia duhet të bëjë më mirë në dy ndeshjet e radhës për të mos u eliminuar në fazën e grupeve.  /Telegrafi/

The post Italia demolon Turqinë në ndeshjen hapëse – italianët mesazh të qartë rivalëve appeared first on Telegrafi.