Ja kur nis gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj

gjykimi

Më 24 janar 2022 pritet të nis gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i akuzuar për korrupsion.

Ai akuzohet me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc, raporton “Betimi për Drejtësi’.

VIDEO:

Gjykata Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2021 kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Begajt, e cila aktakuzë ishte konfirmuar në dhjetor edhe nga Gjykata e Apelit, duke i hapur rrugë kështu nisjes së gjykimit.

Sipas njoftimit nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, gjykimi ndaj Begajt pritet të nis më 24 dhe 26 janar 2022.

Ndryshe gjatë seancës fillestare të mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, sipas të cilit vendin kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, por ky aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi për investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin për mallra dhe shërbime, e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.