Java e ardhshme vendimtare për zgjedhjen e presidentit

zgjedhja e presidentit

Ende nuk është caktuar data e mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të vendit, ndonëse dita e premte, 2 prill dhe dita e martë, 6 prill janë përmendur si data kur do të mund të mbahej seanca.

VIDEO:

Ditë më parë lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit ishte deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai kishte thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet sapo të bëhet zëvendësimi i deputetëve që tashmë janë bërë ministra.

“Posa të bëhet zëvendësimi i deputetëve që janë bërë ministra, do të mund të thërrasim një seancë të radhës, në të cilën padyshim sigurt atë që e votoj populli me 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me votat e nevojshme në Kuvend”, ka thënë Kurti.

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është këtë të premte, 2 prill dhe në këtë seancë pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj, që zëvendësojnë ata që kanë marr poste ministrore.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK do të qëndrojnë në Kuvend kur do të zgjidhet presidenti, ndonëse nuk dihet saktë nëse do të jenë 15 votat e LDK-së, kur dihen raportet e kandidates për presidente Vjosa Osmani, me deputetet e LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj.

Abdixhiku kishte thënë se pas një diskutimi të hapur kanë marrë vendim që LDK nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit dhe LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin kushtetues e të marr pjesë në votim për presidentin e vendit, pa paragjykuar votimin e deputetëve.