Jep dorëheqje kryetari i AAK-së në Pejë, ishte kandidat për kryetar komune

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Pejë, Arbër Grabovci, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, njofton Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në një postim në Facebook njoftoi se Grabovci po ashtu ishte kandidat për kryetar të komunës.

VIDEO:

“Sot qëndrova në Pejë, në qytetin tim të zemrës. Pas konsultimeve me kryetarin e degës së Pejës, Arbër Grabovci, i cili këto ditë po përballet me disa sfida të natyrës personale, kam pranuar dorëheqjen e tij nga kandidatura për kryetar të komunës dhe nga detyra e kryetarit të degës”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ai tutje bëri në ditur se deri në Kuvendin e degës, detyrën e kryetarit do ta ushtrojë njëri nga nënkryetarët.

“Falënderoj përzemërsisht z. Arbër Grabovcin, për angazhimin e tij jetësor në Aleancë dhe e çmoj lartë gatishmërinë e tij për të vazhduar më tej detyrën si asamblist i AAK-së në Kuvendin Komunal”, përfundoi Haradinaj./Insajderi.com