“Ka goditur me thikë tetë herë gruan e tij në sy të fëmijëve”, kërkohet paraburgim për burrin nga Gjakova

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.J., i cili dyshohet se ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij  R.J., në prani të dy fëmijëve të tyre, njofton Insajderi.

Sipas prokurorisë, i dyshuari kishte goditur me thikë tetë herë viktimën.

VIDEO:

Ngjarja ka ndodhur më 31 mars 2021, te parku i qytetit në Gjakovë.

“Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 31 mars 2021, tek parku i qytetit në Gjakovë, ku i pandehuri me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën R.J., duke e goditur atë tetë herë me thikë, në qafë, gjoks, brinjë e duar. E njëjta nga lëndimet e marra është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Rasti ka ndodhur në prezencën e dy fëmijëve të tyre, ku më pas i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin për medie të prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit M.J., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 31 mars 2021./Insajderi.com