Kanë simptoma sikur të COVID-19, por shumë qytetarë po rezultojnë negativ, mjekët tregojnë arsyet

Kosovë

Situata aktuale pandemike e shkaktuar nga virusi Sars-COV-2, ka bërë që qytetarët t’i drejtohet instituticoneve publike shëndetësore me t’u shfaqur ndonjë simptomë ftohjeje e që ngjason me ato të COVID-19. Punëtorët shëndetësorë tregojnë se shumë persona kërkojnë ndihmë për shkak se dyshojnë se janë të infektuar me koronavirus në bazë të simptomave që kanë, por rezultojnë negativ.

Përkundër simptomave që kanë, shumë qytetarë po rezultojnë negativ për COVID-19.

Vetëm në 24 orët e fundit në vend, nga 2 mijë e 886 persona të testuar për koronavirus, 488 kanë rezultuar pozitiv me të.

VIDEO:

Punëtorët shëndetësorë tregojnë se shumë prej personave të cilët dyshojnë se janë të infektuar me COVID-19, rezultojnë të kenë vetëm ftohje ose grip sezonal.

Doktoresha Drita Peqani-Gashi, ka thënë për Express, se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka fluks shumë të madh të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të ngjashme me ato të COVID-19 dhe virusit sezonal.

Ajo ka thënë se simptomat e COVID-19 dhe gripit sezonal janë të njëjta, andaj edhe u shkaktojnë huti në diagnostikimin e disa rasteve.

“Në QKMF është një fluks shumë i madh i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë për shkak të simptomave të virusit COVID-19, mirëpo ka edhe raste kur janë me virus sizonal. Simptomat e këtyre dy virusëve janë shumë e njëjta, kështu që në disa raste kemi edhe huti si t’i diagnostikojmë, si virus, si grip sezonal apo si COVID-19”, ka thënë ajo.

Peqani-Gashi ka treguar se personat të cilët kanë simptoma të COVID-19 por rezultojnë negativ me këtë virus, mund të kenë ndonjë ftohje, rrufë apo grip sezonal.

Ndërsa, ajo ka treguar se si mund të dallohet një person që është i infektuar me koronavirus.

“Ka pacientë që nuk rezultojnë pozitiv dhe ndodh që ata kanë ndonjë ftohje, ndonjë rrufë apo grip sezonal. Dallimi kryesor mes koronavirusit dhe gripit sezonal është humbja e shijes dhe nuhatjes. Ne kemi pacientë të cilët vinë me simptoma dhe ne i dërgojmë ata në Qendrën e Mjekësisë Familjare me numër 7 e cila është kryesisht e dedikuar për pacientët të cilët janë me COVID-19, në të cilën bëhen testet antigjenike për COVID-19 si dhe merret terapia”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, edhe nga spitalet rajonale kanë thënë për Express se ka pacientë të cilët kërkojnë trajtim shëndetësorë për shkak të simptomave të njëjta me ato të COVID-19.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri ka thënë se ka raste kur pacientët vinë me ndryshime në mushkri e analiza të njëjta me ata që janë pozitiv me COVID-19, por që rezultojnë negativ me këtë virus.

Ai ka treguar se pacientët shtrihen në dhoma ku nuk ka pacient të infektuar me koronavirus dhe marrin trajtimin e nevojshëm.

“Po ka raste të pacientëve që vinë me ndryshime në mushkri e analiza laboratorike të njëjta si ata me COVID-19, por që rezultojnë negativ. Trajtimin ata e marrin njëjtë. Ne i lokalizojmë dhomat negative për COVID-19 dhe i trajtojmë pacientët”, ka shtuar ai.

Ndonëse simptomat që ka një person mund të mos jenë si pasojë e infektimit të tij me koronavirus, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë rekomanduar disa herë që qytetarët të testohen për këtë virus, në mënyrë që të parandalohet përhapja e tij.

Simptomat e COVID-19 varen nga ky virus, megjithatë ato më të zakonshme janë: humbja e erës dhe nuhatjes, temperaturë, kollë, lodhje e vështirësi në frymëmarrje.