Katër trajnerë u larguan për katër sezone – a ua bën të vështirë punën statusi prej superylli i Ronaldos

Në sezonin e katërt radhazi, Cristiano Ronaldo ka qenë në një klub, ku trajneri ose është larguar ose është shkarkuar.

Po të ndodhte vetëm një apo dy herë, do të konsiderohej koincidencë, por tashmë ka filluar të shfaqet një lloj modeli që mund të jetë problem për portugezin.

36-vjeçari është i njohur për aftësitë e tij që i fitojnë ndeshjet, mirëpo nuk arriti që t’ia shpëtonte punën trajnerit të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer.

Kjo ka bërë që të hidhet dyshimi nëse statusi i tij prej superylli dhe ndikimi i madh në zhveshtore mund t’ua bëjë trajnerëve punën të vështirë.

Massimiliano Allegri (Juventus)

(Foto: Twitter/JuventusFC/Getty Images)

Massimiliano Allegri pati pesë vite të suksesshme të Juventusi, ku bashkëpunimi me Ronaldon zgjati vetëm një edicion. Portugezi shënoi 28 gola në sezonin e parë në futbollin italian dhe e fitoi Scudetton.

VIDEO:

Mirëpo, në fund të atij sezoni, strategu italian vuri një ultimatum – ose shkon CR7 ose ai, kurse klubi vendosi ta mbante ‘numrin 7’.

Allegri mendonte se prezenca afatgjate e Cristianos e pengonte zhvillimin e skuadrës, por prania e tij në skuadër i shërbente klubit, pasi tifozët dëshironin ta shihnin vazhdimisht në fushë, si dhe investimi në të ishte i madh.

Ronaldo ishte i pakënaqur me taktikat dhe përzgjedhjet e trajnerit aq sa kishte kërkuar ndryshimin e plotë të skuadrës, ndërsa Andrea Agnelli vendosi t’i ndante rrugët me Allegrin. Kur italiani u kthye këtë sezon, portugezi kaloi te Manchester Unitedi.

Maurizio Sarri (Juventus)

(Foto: Reuters/Daily Mail)

Nëse Ronaldo priste që qëndrimi i tij te Juventusi të përmirësohej me largimin e Allegrit, padyshim se gabohej. Fërkimi mes tij dhe Maurizio Sarrit ishte i dukshëm që në fillim.

Madje Cristiano nuk mund ta kuptonte se si Bianconerët ia kishin besuar punën një trajneri si Sarri, i cili erdhi nga Chelsea.

Kah muaji nëntor i atij sezoni filluan fërkimet e mëdha kur trajneri i e kishte zëvendësuar futbollistin dhe ky i fundit e kishte sharë para se të shkonte drejt tunelit.

Sarri kishte thënë se lojtari ka pasur probleme me lëndim, mirëpo dyshja ishin zënë për taktikat, sepse CR7 nuk donte të luajë si sulmues i vetëm.

Shumë shpejt loja e Maurizios nuk pëlqehej as nga tifozët e as nga futbollistët tjerë, ndërsa kulmi ishte eliminimi nga Liga e Kampionëve nga Lyoni në të tetën e finales.Edhe pse Juve e fitoi titullin e Italisë, ishte e qartë se trajneri do të largohej, madje kjo ndodhi vetëm një ditë më pas.

Andrea Pirlo (Juventus)

(Foto: Reuters/Daily Mail)

Marrëdhëniet ndërmjet Andrea Pirlos dhe Ronaldos ishin shumë të mirë, mirëpo skuadra pësoi rënie të madhe nën drejtimin e legjendës italiane.

Bianconerët u eliminuan sërish shumë herët nga Liga e Kampionëve dhe pos kësaj mezi arritën që ta siguronin vendin e katërt në tabelë duke e humbur titullin për herë të parë pas shumë vitesh.

Cristiano nuk kishte bërë të njëjtin reagim kur Pirlo e pati zëvendësuar më vonë gjatë sezonit. Por, me gjithë raportet e  mira, dështimi për të fituar trofe, i kushtoi ish-mesfushorit me shkarkim.

Në anën tjetër, lojtarët veteranë të Juves pohuan se portugezi është dashur të largohej më herë nga Zonja e Vjetër, përkundër se ai shënoi 36 gola në atë sezon.

Ole Gunnar Solskjaer (Manchester United)

(Foto: PA/Daily Mail)

Dhe fundjavën që lamë pas ndodhën ngjarjet dramatike kur Ole Gunnar Solskjaer u shkarkua nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit pas humbjes turpëruese nga Watfordi.

Djajtë e Kuq i kanë humbi pesë nga shtatë ndeshjet e fundit në Ligën Premier, ndërkohë që Ronaldo u tregua hero në Ligën e Kampionëve duke e mbajtur ekipin në garë për të tetën e finales.

Në fillim të sezonit, Solskjaer nuk mund të imagjinonte se do ta kishte Cristianon në skuadër, por gjithçka ndodhi shpejt dhe ai u kthye në Old Trafford.

Por, në fund, edhe me ‘faktorin X’ të Ronaldos, norvegjezi nuk arriti ta ngrejë standardin e ekipit dhe kjo i kushtoi me largim. /Telegrafi/

The post Katër trajnerë u larguan për katër sezone – a ua bën të vështirë punën statusi prej superylli i Ronaldos appeared first on Telegrafi.