KMDLNj kërkon të hetohet sulmi ndaj djalit të Nenad Rashiq

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar për sulmin që iu bë të hënën djalit të politikanit serb në Kosovë Nenad Rashiq, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga ky këshill kanë kërkuar hetim nga institucionet përkatëse lidhur me rastin.

VIDEO:

KMDLNj ka thënë se reagimi i institucioneve ka qenë në shpërputhje me rrezikun që u janë nënshtruar politikanët serbë të Kosovës.

“Dhuna ka eskaluar kryesisht para zgjedhjeve, gjatë fushatave dhe ditën e zgjedhjeve për të frikësuar votuesit dhe në këtë mënyrë janë eliminuar nga skena politike thuaja të gjithë liderët politikë serbë të Kosovës që kanë udhëhequr një politikë të arsyeshme, jo konfrontuese, integruese dhe bashkëpunuese. Pikërisht për këtë janë sulmuar, linçuar publikisht Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Rada Trajkoviq dhe të tjerë në mesin e të cilëve ka pasur të arrestuar nga BIA- a e Serbisë sikur ishte rasti i Sllobodan Petroviqit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka thënë se gjykata duhet të thotë fjalën e fundit nëse ishte koincidencë e rastit apo sulm i qëllimshëm ndaj Nikolla Rashiqit, për shkak të aktivitetit politik të babait të tij, Nenad Rashiq.

“Ndonëse rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi ndaj Nikolla Rashiqit nxisin dyshime të bazuara për motivet e sulmit, KMDLNj fton të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat paragjykuese, deri në një vendim të gjykatës kompetente. KMDLNj e vlerëson si shumë pozitive angazhimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë së shtetit në zbardhjen e rastit e që nënkupton se ky rast po trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com