Komisioni për Siguri dërgon për votim në Kuvend kandidatët për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Pozita e Komisionerit

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është shoqëruar me replika të ashpra mes kryetarit të komisionit, Bekë Berisha dhe përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

Përplasja filloi pas diskutimit për kandidatët e votuar për Komisionin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

VIDEO:

Berisha tha se anëtarët e Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kanë votuar kandidatin që nuk duhet të zgjidhet në asnjë post.

“Uroj që ky njeri të mos zgjidhet kurrë asgjë, këtu shihet qëllimi juaj. Po që vjen Enver Bujari e votohet me notën 10, e kur ju e njihni ju të gjithë. Ky njeri nuk duhet të zgjidhet as rojtar i ndonjë institucioni. Ju kom lanë të votoni vetë, këtu ka të bëjë me kapje të shtetit. Këto e keni arrit, vazhdoni, mbledhjen po e mbylli sot. Ju mbledhin nënshkrimet e zgjidhni sot”, theksoi Berisha.

Ndërka, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, tha se mbledhja nuk mbyllet, duke shtuar se ai mund të vazhdojë mbledhjen pasi që ka kuorum.

“Unë jam nënkryetar i këtij komisioni, mbledhja mund të vazhdojë pasi që ka kuorum. Ne i rekomandojmë Kuvendit për votim listën e kandidatëve për Komision të Agjencisë për Informim dhe privatësi, Enver Bujari, Krenare Sogujeva Dermaku, Edon Miftari. Që të tre kandidatët kanë potencial, cili do që të zgjidhet”, deklaroi Dugolli.

Tutje, Dugolli tha se është i paqartë qëndrimi i opozitës rreth këtij rekomandimi.

Në mbledhjen e kryesuar nga Dugolli, Komisioni për Siguri votoi që këta kandidatë e përmendur më lartë të dërgohen në seancë plenare për votim për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.