Konjufca dhe Bogujevci bënë homazhe në Lybeniq

Ushtruesi i detyrës të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë bërë të enjten e 1 prillit, homazhe në nderim të martirëve të Lybeniqit, njofton Insajderi.

Gjatë luftës të fundit të viteve 1998-99, fshati Lybeniq, kishte përjetuar tri masakra të tmerrshme.

“Këtu janë mbi 80 qytetarë civilë, të paarmatosur, të pafajshëm që mizorisht janë vrarë e masakruar nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë”, deklaroi Konjufca.

VIDEO:

Ai shtoi se deri tani nuk është bërë asgjë nga ana e drejtësisë, që serbët të dënohen.

“Asnjëherë të mos harrojmë se në këto masakra janë vrarë e masakruar nga forcat serbe edhe foshnja 18 muajshe, madje edhe gra shtatzëna. Kjo dëshmon për mizorinë dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin shqiptar”, ka thënë ai.

“Ka plagë të hapura, sepse Serbia nuk po tregon se ku i ka fshehur të zhdukurit. Ky është një krim i shumëfishtë nga ana e Serbisë. Pra, përveç që ka masakruar rreth 14.000 civilë të pafajshëm, duke mos i kursyer fëmijët as gratë, Serbia i ka rrëmbyer trupat e tyre dhe i ka djegur apo fshehur nëpër lokacione të ndryshme, disa nga të cilët janë gjetur këto ditët e fundit” shtoi ai.

Presidenti në vazhdim tha se “nuk duhet të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi, dënim të gjenocidit serb, si dhe kriminelët të mos shëtisin të lirë nëpër Serbi”.

“Dora e drejtësisë duhet t’i arrijë dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që janë përfshirë në këto krime”.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se jo vetëm kjo ditë, por kemi pothuajse për çdo ditë përkujtime anembanë vendit, dhe se kjo tregon për përmasat e krimeve ndaj popullit tonë.

“Nuk është proces i lehtë, por duhet të sigurohemi që drejtësia të vihet në vend. Tek atëherë familjarët do të ndjehen më të lehtësuar për më të dashurit e tyre që dhanë jetën për lirinë tonë dhe shtetin e Kosovës. Do ta shtyejmë këtë çështje përpara”, tha Bogujevci.  /Insajderi.com