Konjufca: Drejtësia të ndëshkojë ata që kryen krimet në Lybeniq të Pejës

U.d. Presidenti

Ushtruesi i detyrës së presidentit Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe në 22- vjetorin e masakrës në Lybeniq të Pejës. Ai me këtë rast tha se në këtë fshat të Kosovës janë vrarë mizorisht prej forcave policore njerëz të pafajshëm e të paarmatosur.

Konjufca tha se asgjë nuk është bërë nga ana e drejtësisë për këtë masakër, që thotë se ka qenë një nga më mizoret.

VIDEO:

“Lybeniqi është një fshat i Kosovës, i cili vetëm gjatë luftës së fundit ’98 dhe ’99 gjatë këtyre viteve nuk e ka përjetuar vetëm një masakër, po i ka përjetuar tri dhe këtu janë mbi 80 persona, të cilët kanë persona civilë të paarmatosur, të pafajshëm të Kosovës, të cilët janë vrarë mizorisht prej forcave policore e ushtarake të shtetit të Serbisë. Asgjë nuk është bërë nga ana e drejtësisë që familjarët të zhdëmtohen me anë të dënimit të këtyre kriminelëve serbë për të gjithë ata që e kanë humbur jetën e që janë më të dashurit e tyre. Këtu mos të harrojmë që ka pasur edhe foshnje të cilët janë vrarë 18-muajsh, e bile edhe gra shtatzëna që janë masakruar prej forcave policore ushtarake të Serbisë. Kjo tregon për mizorinë e gjenocidit që ka ndodhur mbi popullin shqiptar të Kosovës nga ana e Serbisë”, tha ai.

Konjufca u shpreh se plagët e familjarëve janë ende të hapura ku edhe pas 22 vjetësh vazhdon të mos dihet fati edhe i shumë personave të pagjetur. Ai tha se si institucione të Kosovës nuk duhet të ndalen derisa drejtësia të ndodhë për këtë masakër.

“Plagët janë ende të hapura do të thosha unë, për shkak se këtu ka ende edhe të pagjetur, ka plagë të hapura sepse Serbia ende i mbanë ata, nuk tregon se ku i ka fshehur. Ky është një krim i shumëfishtë nga ana e Serbisë, pra përveç që na ka masakruar popullin tonë, ka masakruar rreth 14 mijë civil të pafajshëm duke mos i kursyer fëmijët, gratë, i ka rrëmbyer trupat e tyre, disa prej tyre edhe i ka djegur, i ka fshehur nëpër lokacione të ndryshme e të cilët ne po i gjejmë edhe tash në këto ditë të fundit. E jona është të mos ndalemi kurrë si institucione të Kosovës që të kërkojmë drejtësi që gjenocidi serb të dënohet, që kriminelët e Serbisë të mos enden të lirë, siç janë duke u endur nëpër shumë qytete të Serbisë, po që më në fund dora e drejtësisë të ndëshkojë gjithkënd që ka qenë i përfshirë në këto krime”, tha ai.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se është e nevojshme që drejtësia të vihet në vend.

“Kemi thuajse për çdo ditë kujtime anë e mbanë vendit, kjo e tregon për krimet që janë bërë ndaj popullit tonë dhe duhet të na shërbejë çdo ditë që të sigurohemi që drejtësia të vihet në vend. E dimë që nuk është proces i lehtë, por duhet të punojmë më shumë derisa të vihet drejtësia. Familjarët do të jenë këtu dhe të gjithë këta që janë vrarë do të përkujtohen për sa të ekzistojmë. Por, që kur vihet drejtësia në vend së paku të jetë një lehtësim për këto familje që edhe kur të vijnë në këto vende dhe t’i kujtojnë më të dashurit e tyre ta dinë që nuk kanë shkuar për asgjë, që gjaku i tyre ka qenë për liri, por edhe drejtësia është vu në vend”, tha ajo.

Sot homazhe në Lybeniq të Pejës kanë bërë edhe përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të shumtë.