KQZ mban mbledhje pas vendimit të Supremes për përsëritje të votimit nga jashtë në Dragash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje të enjten nga ora 16:00 për të shqyrtuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me përsëritjen e procesit të votimit nga jashtë në Dragash.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, për Shqip.com ka konfirmuar se kanë pranuar vendimin e Supremes, përmes së cilit urdhërohet KQZ të përsërisë raundin e dytë të votimit nga jashtë në Dragash.

VIDEO:

“E konfirmoj se gjatë ditës kemi pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, përmes së cilit urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përsëritjen e raundit të dytë të votimit jashtë Kosovës që i takon Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit.

Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi, gjatë ditës së sotme (e enjte, 25 nëntor, ora 16:00) KQZ-ja do të mbajë mbledhje. Lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, do të njoftoheni në këtë mbledhje”, tha Elezi.

Ndërkaq, të enjten, Supremja mori vendim që të anulohet dhe të përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit, pasi që kandidati për kryetar në këtë komunë nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaban Shabani kishte ushtruar ankesë.

Tutje, Supremja në aktvendim ka treguar se është refuzuar kërkesa e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar komune të Dragashit, Behxhet Xheladini, që votat nga jashtë të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve në raundin e dytë, më 15 nëntor.

Sipas Supremes, mbetet në fuqi vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për moscertifikimin e rezultatit përfundimtar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Dragash./Insajderi.com