KQZ vendos sot se a do të rinumërohen 500 vendvotime

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot një raport të Qendrës së Numërimit të Rezultateve e cila ka rekomanduar rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve.

VIDEO:

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor. QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit”, ka thënë Elezi.

Elezi ka thënë se arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

KQZ mblidhet sot në ora 13:00.