Kryeministri Kurti takohet me kryemyftiun Tërnava, flasin për vështirësitë e pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, myftiu Tërnava e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe shprehu bindjen se Qeveria e re do të punojë për ndryshimet e nevojshme që presin qytetarët nga ajo.

VIDEO:

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti e falënderoi myftiun Tërnava për bashkëpunimin dhe kontributin që ai dhe Bashkësia Islame e Kosovës, kanë dhënë për respektimin e rregullave dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“U bisedua për sfidat në ballafaqimin me pandeminë dhe veprimet për tejkalimin e vështirësive, si dhe domosdoshmërinë për kujdes e vëmendje të shtuar në ruajtjen e shëndetit publik.”, thuhet më tej në njoftimin e ZKM-së. /Insajderi.com