Kryetari i Ferizajt deklarohet për vdekjen e pronarit të restorantit ku kishte ndodhur shpërthimi

Kryetari i Ferizajt

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka ngushëlluar familjen për vdekjen e Genc Sopës si pasojë e shpërthimit që kishte ndodhur në janar të këtij viti.

“Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mjekëve, solidaritetin qytetar, përpjekjet institucionale, Genci na dha lamtumirën, duke na pikëlluar thellësisht”, shkruan Aliu.

VIDEO:

Postimi i tij i plotë:

Me dhembje të madhe, mora lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të pronarit të restaurantit “Steakhouse”, të lënduar rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit këtë fillimvit, Genc Sopa.

Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mjekëve, solidaritetin qytetar, përpjekjet institucionale, Genci na dha lamtumirën, duke na pikëlluar thellësisht.

Genc, pusho në paqen e paskajshme! Ferizaj humbi një qytetar të vyer, një ndërmarrës të suksesshëm, një shpirt fisnik e një mik gjithmonë të qeshur. Fjalët janë të varfëra të shprehin dhembjen. Mbahuni të fortë familje e nderuar Sopa, miq e të njohur të të ndjerit.

Dritë pastë shpirti i tij i pastër!

Nga ky shpërthim ka vdekur një vajzë 20-vjeçare dhe janë lënduar mbi 40 persona tjerë.

Shpërthimi i papritur i bombolës së gazit që përmbante 25 litra, e vendosur në kuzhinën e restorantit “Steak House” në Ferizaj, ka lënë 44 persona të lënduar si dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Zjarri i shkaktuar i detyroi njerëzit që për një moment të dilnin nga aty, duke lënë mbi tavolinë telefonat, xhaketat e gjësendet e tjera.

Shkaqet e shpërthimit nuk janë bërë akoma të ditura.