Kurti emëron edhe një zëvendësministër nga komunitetet, Adnan Rexheplar pranon detyrën në Ministrinë e Mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar edhe një zëvendësministër nga radhët e komuniteteve, kësaj here në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga kjo ministri, ku njoftojnë se ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka pritur sot në takim, në ditën e parë të punës, zëvendësministrin e ri të Mbrojtjes nga radhët e komuniteteve jo shumicë, respektivisht atij boshnjak, Adnan Rexheplar.

VIDEO:

Në pritje ishin të pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefja e Kabinetit të Ministrit, Agime Gashaj.

Me këtë rast, sipas komunikatës Mehaj i dëshiroi mirëseardhje zëvendësministrit Rexheplar, të cilin e njoftoi me objektivat e përgjithshëm të tij për të ardhmen dhe shprehu vullnetin e plotë për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë gjatë udhëheqjes së tij.

“Ndër të tjera ai dhe gjeneral Rama e vlerësuan shumë të rëndësishëm rolin e zv.ministrit Rexheplar edhe në zbatimin e politikave të procesit të integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Forcën e Sigurisë të Kosovës. Nga ana e tij, zëvendësministri Rexheplar, falënderoi ministrin Mehaj dhe gjeneral Ramën për pritjen dhe gatishmërinë për ta përkrahur gjatë kryerjes së detyrave nga pozita e tij. Ai u zotua se me të gjitha kapacitetet dhe përvojën e tij politike, intelektuale dhe profesionale do të angazhohet në realizimin e të gjitha objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

 

The post Kurti emëron edhe një zëvendësministër nga komunitetet, Adnan Rexheplar pranon detyrën në Ministrinë e Mbrojtjes appeared first on Telegrafi.