Kurti në Prishtinë kundër mbajtjes së referendumit serb, ministri i tij në Beograd me Vuçiqin

Referendumi serb

Përmes një deklarate të përbashkët, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, pas takimit me QUINT-in, kanë njoftuar se nuk janë lëkundur nga qëndrimi për moslejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë, ku OSBE-ja do të merrej me grumbullimin e votave sikur në votime të së kaluarës.

Në këtë komunikatë, tri institucionet kryesore të shtetit kanë përsëritur qëndrimin se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

VIDEO:

Por, derisa Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha partitë opozitare po e kundërshtojnë hapjen e vendvotimeve në Kosovë për mbajtjen e referendumit të Serbisë, një ministër i Kurtit ka nisur takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Goran Rakiq, ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, i shoqëruar edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Dalibor Jevtiq dhe Igor Simiq po marrin pjesë në këtë takim.

Nga pamjet brenda takimit është parë edhe Milan Radojçiq, nënkryetar i këtij subjekti, që është futur së fundmi në listën e sanksioneve të Thesarit Amerikan të Shtetit.

Në takim po merr pjesë edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq dhe Ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin.

Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë pritet të jetë tema e këtij takim, mbajtjen e të cilit po e kundërshton Qeveria e Kosovës.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje kryeministrit Kurti që të lejojë mbajtjen e këtij referendumi, i cili në Serbi do të mbahet të dielën.

[embedded content][embedded content]