Kurti ngushëllon familjen e Rexhep Bojës: Vdekja e tij është humbje e pakompensueshme për shtetin e Kosovës

Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nëpërmjet telegramit ka ngushëlluar familjen e intelektualit dhe ish-kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Rexhep Boja, i cili dje u nda nga jeta.

Në letrën e ngushëllimit, kryeministri Kurti ka vlerësuar personalitetin e dr. Bojës si intelektual, teolog e atdhetar, si edhe kontributin e tij në ruajtjen e islamit tradicional dhe kultivimin e promovimin e tolerancës fetare dhe vlerave tona kombëtare.

Po ashtu kryeministri ka theksuar kontributin e Dr. Bojës në luftën e përbashkët për liri e pavarësi dhe ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë demokratike.

“Vdekja e papritur e Dr. Rexhep Bojës është humbje e pakompensueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës. Do ta kujtojmë me krenari e respekt punën dhe kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si edhe ndërtimin e shoqërisë së lirë e demokratike”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti në telegramin dërguar familjes së Dr. Rexhep Bojës.

VIDEO:

Letra e plotë e kryeministrit Kurti për familjen Boja:

E nderuara Familja Boja,

Lajmi për ndarjen nga jeta të Dr. Rexhep Bojës më trishtoi shumë.

Nëpërmjet kësaj letre ju shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit Tuaj dhe intelektualit, teologut e diplomatit tonë të madh.

Dr. Rexhep Boja ishte personaliteti i shquar, i cili vuri gjithë dijen e tij intelektuale dhe fetare në shërbim të së mirës së përgjithshme të kombit dhe shtetit. 

Takimet dhe bisedat me z. Boja ishin gjithmonë miqësore dhe të përzemërta, ashtu siç ishte edhe takimi im i fundit më 2 gusht 2021.

Drejtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Boja e mori në periudhën më të vështirë, në vitin 1990, dhe për 13 vjet e udhëhoqi atë me integritet e vizion.

Në vitet e rënda të okupimit, kur qenia jonë kombëtare ishte në rrezik, Dr. Rexhep Boja si kryeimam i Kosovës, arriti t’i mbajë të përbashkuar besimtarët rreth islamit tradicional dhe t’i kultivojë e promovojë tolerancën fetare dhe vlerat tona kombëtare.

Pas çlirimit, si ambasador në Arabinë Saudite, ndërtoi ura miqësie e bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe shteteve arabe. 

Vdekja e papritur e Dr. Rexhep Bojës është humbje e pakompensueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Do ta kujtojmë me krenari e respekt punën dhe kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si edhe ndërtimin e shoqërisë së lirë e demokratike.

Me konsideratën më të lartë,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës