Kurti: Për tetë muaj në qeveri kemi marrë 396 vendime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten në seancën e Kuvendit se janë bërë tetë muaj që nga koha kur ka marrë detyrën e të parit të qeverisë, dhe sipas tij, deri tani janë marrë 396 vendime.

Para deputetëve, ka thënë se ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parrë rritje më të lartë se në vitin 2021.

“Do ta mbyllim këtë vit me rritje ekonomike rreth 10 për qind dhe rritje të të hyrave prej 33 për qind, të dyja këto si rezultat i një qeverisje të mirë dhe besim i qytetarëve në institucione të vendit”.

VIDEO:

“Vitin që po e lëmë e gjetëm me borxhe, kemi anuluar vendimin për shpronësimin e rrugës Pejë-Zahaq. Për herë të parë po e votojmë një buxhet që është tërësisht i yni. Një buxhet që ka ndarje të matura e për projekte zhvillimore”.

Për buxhetin e vitit 2022, shefi i qeverisë ka thënë se sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritet.

“Me këtë buxhet kemi ndarë 45 milionë për t’i ndihmuar nënat lehona e për shtesat për fëmijë. Për herë të parë kemi ndarë 10 milionë për blerjen e ambasadave”, ka vazhduar më tej Kurti.

“Prodhuesit vendor do t’i mbështesim me 200 milionë euro. 10 milionë i kemi ndarë për pajisje moderne për policinë dhe zjarrfikësit. 10 milionë i kemi ndarë për rezervat shtetërore. Ushtrinë e kemi prioritet madhor andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë eurosh. Projektligji ka edhe disa risi sa i përket menaxhimit të mirë të financave publike”.

Sipas tij, tash po e vërejnë sa ka vuajtur shteti për një qeverisje që nuk keqpërdor e nuk abuzon.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit. Padyshim qe optimizmi dhe shpresa që kemi ne në krye të institucioneve dhe qytetarët i kontribuon edhe aspektit socioekonomik të vendit tim”, ka thënë ai.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00./Insajderi.com