Kurti pro hapjes së arkivave të UÇK-së: S’kemi çka fshehim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur idenë që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës, përfshirë ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka theksuar se Kosova s’ka asgjë për të fshehur, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, ka qenë nën administrimin e ndërkombëtarëve.

VIDEO:

“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, është shprehur shefi i qeverisë për EO.

Ka shtuar se hapja e arkivave do të ndihmonte që të gjendeshin personat e zhdukur nga lufta e fundit.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd, sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”.

Këto komente Kurti i ka bërë pasi ka marrë pjesë në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert.

Ndryshe, të enjten, kryenegociatori i delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin trepalësh me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore lidhur me UÇK-në.

Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta. Opozita ka kritikuar Qeverinë se “po e barazon UÇK-në me Serbinë”. Ndërsa, drejtues të Arkivit kanë mohuar se brenda institucionit shtetëror ka dokumente sekrete rreth UÇK-së./Insajderi