Kurti takon përfaqësuesit e Rockefeller Foundation, diskutojnë për krijimin e vendeve të punës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbajtën sot një takim virtual me përfaqësuesit e ‘Rockefeller Foundation’ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht me presidentin e Fondacionit, Rajiv Shah, njëherësh edhe ish-administrator i USAID-it në administratën e presidentit Barack Obama, si dhe me drejtorin e Iniciativës për Financa Inovative të Fondacionit, Mike Muldoon.

Gjatë bisedës me Shah dhe Muldoon, kryeministri Kurti dhe anëtarët e Qeverisë kanë prezantuar disa nga objektivat kryesore të Qeverisë, duke përfshirë uljen e nivelit të varfërisë dhe pabarazisë, krijimin e vendeve të reja të punës, luftimin e pandemisë COVID-19 dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme dhe të ekonomisë së gjelbër.

VIDEO:

Nga ana e Fondacionit, Shah dhe Muldoon kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Republikës së Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave, të cilat janë edhe pjesë e misionit të vetë Fondacionit Rockefeller.

Po ashtu, ata kanë theksuar se nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, Qeveria e re ka një mundësi të artë jo vetëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe për të shërbyer si një model i qeverisjes së mirë për të gjithë botën, si për rimëkëmbjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës pas pandemisë, ashtu edhe për tranzicionin e suksesshëm drejt një ekonomie më të barabartë dhe të gjelbër. /Insajderi.com