Kurti thotë se pala serbe i refuzoi propozimet e tij për këto marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të sotëm në Bruksel tha se ka propozuar sërish që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes midis Kosovës dhe Serbisë, mirëpo një kërkesë e tillë është refuzuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pa u lexuar fare, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media, Kurti shtoi se një gjë e tillë tregoi mosgatishmëri për marrëveshje, duke treguar edhe se kanë përmendur disa pika që paraqesin barrierat që Serbia i vendosë ndaj Kosovës në aspektin tregtar, por që pala tjetër as këtë çështje nuk dëshiruan ta diskutojnë.

VIDEO:

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, ose Deklaratë të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar. Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare”, ka thënë ai.

“Gjithashtu zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lexoi 11 pika qe paraqesin 11 barriera që i vendos Serbia ndaj Kosovës në aspektin tregtar edhe ne kemi kërkuar që ato të eliminohen, por nuk dëshironin që të dëgjonin as për këtë”, shtoi Kurti.

Kreu I Qeverisë së Kosovës shtoi se nuk ka pasur dakordim as për futjen e togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën” në deklaratën e përbashkët ku bëhet fjalë për çështjen e të pagjeturve.

“Kur ishte dakordimi për një deklaratë të përbashkët ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona dhe që gjithashtu të ketë një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve tona dhe insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’ dhe kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë që nuk pranoi asesi të futet togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara dhe me vetë faktin që merremi me çështjen e të pagjeturve që janë zhdukur në mënyrë të dhunshme ne po merremi me të kaluarën”, tha ai.

“Është për të ardhur keq që sot s’e patëm një dakordim për një deklaratë të përbashkët me ç’rast do ta kishim edhe togfjalëshin ‘ballafaqimi me të kaluarën’ të cilin e pranoi ndërmjetësi Borrell, por nuk u pranua nga pala serbe e cila e kundërshtoi shumë ashpër”, shtoi Kurti, I cili më tej njoftoi se pritet që një tjetër takim midis tij me Vuçiq të zhvillohet në shtator, ndërsa delegacionet e nivelit jo të lartë, të takohen në gusht. /Insajderi.com