Lajçak në aksion për të çuar në vend fjalën e shefit: Një takim Kurti-Vuçiq para vitit të ri

Miroslav Lajçak

Emisari sllovak, Miroslav Lajçak, është vënë në lëvizje për të çuar në vend fjalën e shefit të tij, spanjollit Josep Borell, i cili do një takim të nivelit të lartë në mes të shefit të qeverisë kosovare, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, para vitit të ri. Lajçak brenda dy ditësh ka takuar dy liderët, megjithatë nuk dihet nëse ka arritur t’i bind ata për një takim në ‘qytetin e dialogut’ në Belgjikë.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, është takuar sot me kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq në Beograd.

VIDEO:

Sllovaku thotë se ka pasur një bisedë të gjatë dhe të detajuar me Vuçiqin, dhe thotë se pas gjithë këtyre takimeve ka shumë gjëra të cilat duhet rikthyer dhe shikuar në detaje.

“Në vazhdim të diskutimeve të mia për rrugën përpara në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pata një bisedë të gjatë dhe të detajuar me Presidentin e Serbisë”, ka shkruar Lajçak.

Ky takim i Lajçak me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, vjen vetëm një ditë pas takimit që emisari sllovak ka pasur me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Vjenë të Austrisë.

“Sot në Vjenë pata një diskutim të thellë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për gjendjen aktuale dhe rrugën përpara në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi dje Lajçak.

Duket se këto takime janë përpjekje e Lajçakut për të organizuar një takim të nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Se e do një takim Kurti-Vuçiq kishte deklaruar Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, pas një takimi me kryediplomatët e BE-së. Borell kishte dekalruar se do që takimi të ndodh para vitit të ri dhe thoshte se kjo është edhe ftesa e tij për Kurtin dhe Vuçiqin.

Derisa kryeministri Kurti në takimin që ka pasur me të ngarkuarin me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ka folur për një marrëveshje finale që potencialisht do të arrihet brenda mandatit të tij si Kryeministër.

Edhe zëvëndësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka deklaruar se janë vendosur afate për marrëveshjen finale, dhe afati përkon me mandatin e kryeministrit Albin Kurti.