Lajçak thotë se Kurti dhe Vuçiq takohen sërish në shtator

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka vlerësuar të vështirë takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se atmosfera në këtë takim ishte “e tensionuar”, transmeton Insajderi.

Pas bisedimeve të sotme midis dy palëve, Lajçak tha se sot është bërë shumë pak përparim.

VIDEO:

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha Lajçak pas takimit, raporton REL.

Ai konfirmoi se ekipet negociuese do të takohen në fund të gushtit dhe se takimi i ardhshëm i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në shtator.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, tha pas takimit se ka propozuar një deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, ajo u refuzua “ende pa u lexuar” nga pala serbe.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Vuçiq tha se pala kosovare gjithmonë kushtëzon me “kritere të reja politike”.

Takimi i sotëm ishte i dyti midis Kurtit dhe Vuçiqit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por edhe për dy krerët e delegacioneve. /Insajderi.com