Latifi pas aksidentit tragjik në Bullgari: Ndjejmë njëfarë kënaqësie arkaike në mosrespektimin e rregullave

Blerim Latifi

Profesori Blerim Latifi ka reaguar pas aksidentit tragjik ku të paktën 45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.

VIDEO:

Latifi përmes një postimi në Facebook tha se shqiptarët e kanë njëfarë ndjenje kënaqësie arkaike në mosrespektimin e ligjit e të rregullave të komunikacionit.

Latifi tha se e keqja e kësaj është se nuk marrim mësim por vazhdojmë me të vjetrën.

Postimi i plotë:

Rregullat e komunikacionit janë krijuar për t’i shmangur vdekjet. Ne i shpërfillim ato, prandaj edhe aq shumë jetë shqiptarësh humbin në komunikacion. Për ditë. Gjatë gjithë vitit.

Ende pa u mbyllur ky vit, bilanci i tij në Kosovë është i tmerrshëm: mbi 10 mijë aksidente, 97 të vdekur, qindra të tjerë të sakatosur.

Kontrolli i rregullt teknik i automjeteve është krijuar për t’i shmangur aksidentet nga prishja e mekanizmave të tyre. Ne i shpërfillim këto kontrolle, prandaj edhe aq shumë jetë shqiptarësh humbin në komunikacion. Përditë. Gjatë gjithë vitit. Ndjejmë njëfarë kënaqësie arkaike në mosrespektimin e ligjit e të rregullave dhe mburremi me shpërfilljen e tyre. Dhe në fund e paguajmë shtrenjtë. Me jetën tonë e të afërmve tanë. Dhe për më keq, nuk marrim kurrë mësim. Nuk mbushemi kurrë mend. Vazhdojmë me të vjetrën. Në pritje të tragjedive të reja, si kjo e fundit në Maqedoni.