LDK bënë apel: Rreshtohuni kundër tendencës për të prekur zgjedhjet

LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka lëshuar një komunikatë për medie, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, ku ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve me 17 tetor/

Në komunikatën e LDK-së, u bëhet thirrje akterëve politikë, shoqërisë civile dhe medieve që të rreshtohen kundër shtyerjes së zgjedhjeve.

VIDEO:

Ndërsa, sa i përket rrezikut për rritje të numrit të të infektuarve nga pandemia COVID-19, LDK kërkon që fushata zgjedhore të reduktohet nga 30 në 5 ditë.

Komunikata e plotë:

Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së, duke marrë për bazë gjendjen e rëndë shëndetësore në vend, gjendje e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedentë, vendosi që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare. Fushata, ndërsa, do të mbahet vetëm në formë dixhitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikmëri rregullativën në vend mbi tubimet publike.

Në mbledhje u diskutua dhe domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve me 17 tetor, brenda kornizave kushtetuese e demokratike të Kosovës.

Kryesia e LDK-së edhe njëherë fton të gjithë akterët politik, shoqërinë civile, mediat dhe botën akademike që të rreshtohen kundër tendencës për të prekur zgjedhjet të cilat janë themel i demokracisë.

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për organizimin e strukturave të partisë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend.