LDK për sulmin me vezë ndaj Përparim Ramës: E bënë një grup i të rinjve që brohorisnin “Vetëvendosje”

Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar pas sulmit me vezë ndaj kandidatit të kësaj partie për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, derisa ishte duke e zhvilluar një aktivitet në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, thotë se Rama është sulmuar nga një grup i të rinjve të cilët brohorisnin “Vetëvendosje”.

Ajo shton se pas këtij incidenti, nuk ka vend për panik.

“Gjatë një takimi me qytetarët e lagjes “Kodra e Trimave” në oborrin e shkollës ‘Zenel Hajdini’ u sulmuam me vezë nga një grup i të rinjve, të cilët gjithashtu brohorisnin Vetëvendosje. Nuk ka vend për panik, Përparimi po vjen për Prishtinën!”, ka thënë Halimi.

VIDEO:

Pas kësaj ndodhie, një reagim ka ardhur edhe nga vetë Rama, që përdori llogarinë e tij në Facebook, të flet për këtë ngjarje.

Ai ka thënë se takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira dhe të hapura janë bazë e lirisë së shprehjes.

“Takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira e te hapura janë baze e lirisë së shprehjes. Ka shumë të pakënaqur në qytetin tonë. Mirëpo nuk ka vend për panik. Prishtinës do t’i kthehet buzëqeshja e dashnia. #PR4PR”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, është sulmuar me vezë gjatë ditës së sotme. Derisa ishte duke e zhvilluar një aktivitet në lagjen “Vranjevc” të kryeqytetit, disa persona gjuajtën me vezë në drejtim të tij.

Sipas dëshmitarëve që shkrepën fotografi e pamje nga vendi i ngjarjes, dikush nga të pranishmit mori lëndime në kokë nga gjuajtja me vezë, por nuk bëhet fjalë për lëndime serioze.

Gazeta Insajderi.com ka komunikuar edhe me Policinë e Kosovës, institucion ky zyrtar të së cilës, shihen të kenë qenë në vendin e ngjarjes, por të njëjtit thonë se ende nuk kanë informacione lidhur me rastin.

Përparim Rama do të garojë nga radhët e LDK-së për të marrë pozitën e të parit të Prishtinës, në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 17 tetor.

Përveç tij, në garë për të marrë në dorë timonin për drejtimin e kryeqytetit janë edhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Pacolli nga radhët e Aleancës Kosova e Re, ndërsa partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka zyrtarizuar ende emrin e kandaditit të saj për Prishtinën. /Insajderi.com