Lekaj: VV e ka bërë standard që nipat, ilaket dhe ata të dasmave t’i vendos në borde

Deputeti i AAK-së

Me debat e përplasje verbale mes deputetësh është përcjell mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku përkundër kësaj, u miratua lista e emrave të propozuar nga qeveria për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

VIDEO:

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj që është pjesë e këtij komisioni, thotë se nuk ka pritur se me ketë qeveri do të ketë parti-shtet.

“Nuk kemi pritur se do të ketë parti-shtet. Kam pritur që do të kemi institucione të pavarura. Nga tre prej të propozuarve për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, dy prej tyre kanë qenë kandidat për deputet në listën e Vetëvendosjes dhe njëri nga ta është djali i shefit të Kabinetit të ministrit të Pushtetit Lokal”, tha Lekaj në “Debat Plus”.

Lekaj thotë se është e padrejtë shuarja e Agjencionit Kosovar të Privatizimit.

“Shuarja e AKP-së duhet të bëhet me amandementim të ligjit”.

Deputeti i AAK-së thotë se kanë pritur që LVV do të merret me premtimet e saj që ka dhënë gjatë fushatave.

“Te këta po shfaqen dukuri negative të punësimit familjarë shumë më të mëdha se që ka pasur gjatë 20 viteve. Ne nuk e kemi fshehur që ka pasur punësime në borde, por LVV e ka bërë standard që nipat, ilaket dhe të gjithë ata që janë për dasma t’i vendosin në borde”, tha ndër të tjera Pal Lekaj.