Limaj flet rreth dakordimit të Kosovës për hapjen e arkivave të UÇK’së

Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë që dakordimi i Kosovës me palën serbe për hapjen e arkivave të UÇK’së, nuk është në favor të vendit.

VIDEO:

“Ka shumë telashe në procesin e dialogut. Ajo që mua më ka bërë përshtypje është jo vetëm dakordimi siç kanë thënë, por përshtypje më ka bërë tendenca për ta sqaruar që në fakt çfarë ka ndodhur. Me prononcimin e parë dhe të dytë dhe opinionet që po i shohim nga Qeveria, shqetësimi im është që ata nuk janë të vetëdijshëm se çka kanë bërë duke e relativizuar në kontestin “ne i hapëm arkivat se nuk kemi çfarë fshehim”. Kjo tregon padituri dhe amatorizmin e negociatave dhe tregon se ata nuk e dinë se për çfarë janë dakorduar”, tha Limaj për Klan Kosovën.

Limaj tha që kjo tregon se ata nuk e dinë efektet negative që ka ky veprim.

“Ka vite të tëra, edhe unë kur kam qenë pjesëmarrës që kemi ngritur nga të parët hapjen e arkivave të Serbisë. Për vite të tëra kemi kërkuar dhe çdo herë si kundërpërgjigje e Serbisë ka ardhë që “hapini edhe ju të UÇK’së”, shtoi ai.

“Dakordimi për t’i hapur arkivat e dyanshme është ndryshim i narracionit të asaj që çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe kjo ka qenë qëllim i Serbisë. Për vite të tëra dhe ne nuk kemi pranuar të bijmë në këtë kurth. Serbia dëshiron që të barazojë situatën”, theksoi Limaj.

“Këta nuk e dinë për çka janë dakorduar dhe ky është dëm i madh. Aty shkojnë njerëzit që nuk kanë ide. Duhet me pasë kujdes në negociata se çka po kërkohet dhe nuk duhet vënë barrë vendit tënd. Dakordimi i tillë, i ka shkaktuar dëm dhe i ka vënë barrë Kosovës, pa asnjë nevojë. Tash e tutje kushdo që bisedon me këtë dakordim i ka vënë barrë vendit tonë, çfarëdo delegacioni që shkon atje”, tha tutje ai.