Live: Mustafa deklarohet i pafajshëm, Specialja thotë se nuk ngriti akuza ndaj UÇK-së, por vetëm ndaj tij

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smith, në hapje të gjykimit kundër Salih Mustafës, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ngritë akuza nga Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e as ndaj luftës së bërë për pavarësi, por ka të bëjë me përgjegjësi vetjake të disa individëve, në këtë rast të ish-komandantit Mustafa, njofton Insajderi.com.

Derisa e ka quajtur ditë të rëndësishme nisjen e procesit të parë gjyqësor në këtë institucion, Smith tha se të gjitha viktimat e krimeve që Mustafa dyshohet se i ka kryer, janë me kombësi shqiptare.

“Mustafa ka shkelur ligjet e luftës dhe ligjet ndërkombëtare për mbrojtje të individëve. ZPS nuk ngrit akuza ndaj UÇK-së as luftës së bërë për pavarësi”, tha ai.

“Ata që janë përpjekur t’i frikësojnë dëshmitarët, kanë pretenduar se këto gjyqe bëhen kundër popullit të Kosovës dhe kjo nuk është e vërtetë. Fakti që populli i Kosovës vendosi ta krijojë këtë institucion përbën dëshmi për angazhimin e shtetit ligjor”.

“Ky gjyq ka të bëjë me përgjegjësi vetjake të Mustafës veprimet e të cilit kanë shkaktuar vuajtje në trupat dhe mendjet e viktimave që kanë vuajtur nga këto veprime”, u shpreh ai.

VIDEO:

Smith ka thënë se arsyeja e krijimit të Gjykatës Speciale është atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve që sipas tij ekziston edhe sot.

Më tej në fjalën e tij, Smith tha se Specialja është një mundësi që Kosova t’i lë pas problemet e luftës e gjithashtu edhe një mundësi që viktimat të thonë fjalën e tyre pa frikë.

“Përbën një mundësi që Kosova t’i lë pas problemet e luftës. Mundësi që viktimat të thonë fjalën e tyre pa frikë. Mundësi që të akuzuarit t’i dëgjojnë akuzat dhe t’i kundërshtojnë ato. Mundësi që drejtësia të jetë e plotë, efikase dhe e drejtë. Kjo është një gjykatë për kontribut madhor në drejtësinë ndërkombëtare. Edhe pse kjo gjykatë shihet ndryshe, është mundësi për të kërkuar drejtësi”, tha Smith.

__________________________________________________________________________________________________________________

Mustafa: S’jam fajtor për asnjë nga pikat që m’i ngarkon kjo zyrë e Gestapos

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili është edhe i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale, ka konfirmuar deklaratën e tij të parë se nuk është fajtor për asnjë akuzë të ngritur nga Gjykata Speciale.

Në gjykimin e tij të parë nga ky institucion, Mustafa tha se nuk është fajtor për asnjë nga pikat të cilat i ngarkon Specialja.

“Për asnjë nga pikat që m’i ngarkon kjo zyrë e Gestapos”, ka thënë ai kur u pyet për nëse mund ta konfirmojë deklaratën e tij të thënë më parë.

Gestapos ishte policia sekrete zyrtare e Gjermanisë Naziste.

Gjatë paraqitjes së tij më 28 tetor të vitit që ka kaluar, Mustafa nuk është deklaruar fajtor për asnjë nga akuzat e aktakuzës së konfirmuar.

Kundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

“Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill 1999. Në ditën e parë, Kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të çelë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohet aktakuza, do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij dhe do ta pyesë të akuzuarin nëse e ka kuptuar aktakuzën dhe nëse dëshiron t’i qëndrojë deklarimit të tij të mëhershëm. Në këtë çështje i akuzuari është vetëdeklaruar i pafajshëm. Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vet hapëse”, u tha në njoftimin e Gjykatës.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni përfundimtar u bë publik më 28 shtator 2020.

Mustafa ishte i pari nga komandantët e UÇK-së që u prangos nga Gjykata Speciale, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Muaj më pas, pasuan arrestime të tjera nga kjo gjykatë, përkatësisht ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi me një aktakuzë të përbashkët.

Specialja arrestoi edhe dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Derisa në mars të këtij viti, u arrestua edhe Pjetër Shala, që poashtu ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dyshuar për krime lufte. /Insajderi.com