Lutfi Haziri: LDK të reformohet sa më shpejt, ndryshe në zgjedhje komunale do të pësojmë më keq se javën e kaluar

nënkryetari i LDK-së

Miq dhe simpatizantë të LDK-së, çdo këshillë e juaja dhe kritikë parimore do jetë e mirëseardhur për ne. Unë kam qëndruar këtu edhe kur shtrohej pyetja; a do kthehet LDK-ja atëherë kur u nda në dysh, dhe tani kur e humbëm gjysmën e elektoratit, këtu do të jem prapë së bashku me gjithë ata të cilët asnjëherë nuk u hamendën në LDK-në në krye me liderin tonë historik, Dr. Ibrahim Rugovën!

Në këtë shkrim autorial, Haziri kërkon mobilizim gjithëpërfshirës të strukturave të LDK-së.

“Unë, mbetem gjithnjë i vendosur në kërkesën se LDK-ja duhet të reformohet sa më shpejt që është e mundur, ngase tani gjendemi para një rreziku mjaft të madh, që, po qese nuk fillojmë menjëherë me punë dhe aktivitete konkrete, në zgjedhjet e ardhshme komunale do të pësojmë edhe më keq se javën e kaluar!”, shkruan nënkryetari i LDK-së.

Shkruan: Lutfi Haziri

VIDEO:

Analizat dhe debatet mediatike janë të mira, por LDK-ja duhet t’i analizojë vetë brenda strukturave të saj shkaqet që çuan në humbjen e para një jave, me qëllim që t’i riparojë ato menjëherë.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pranuar humbjen dhe këtë humbje duhet ta rikuperojë me punë dhe përkushtim të ri, dhe atë bashkë me anëtarët e saj të cilët janë rritur me LDK-në dhe anasjelltas.

LDK-ja, së pari duhet t’i kthehet vlerave të saj burimore, të bashkëbisedojë hapur me anëtarësinë për shkaqet e humbjes, si dhe të kërkojë mbështetjen e tyre për rimëkëmbjen e saj, duke marrë mësim nga gabimet të cilat quan në humbjen e elektoratit tradicional, siç rezultoi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ne kemi përjetuar ngjarje edhe më të dhimbshme, por jemi rikthye fuqishëm në pozitat tona shtet-formuese, por siç duket nuk paskemi mësuar sa duhet nga e kaluara që të mos bëjmë gabime të reja gjatë rrugëtimit tonë shumëvjeçar.

Së pari, duhet bërë diagnostifikimi i shkaqeve dhe më pas eliminimi i tyre, duke hartuar programin reformues për t’i filluar reformat konkrete me qëllim për t’u kthyer në gjenezën tonë autoktone, në filozofinë dhe trashëgiminë rugoviane.

Natyrisht, në këtë proces duhet të kyçen të rinjtë e shkolluar në frymën e qëndresë së Djathtë politike dhe ekonomike, të brumosur me filozofinë kombëtare rugoviane, jo vetëm kur kemi kriza, por edhe kur i duhen tregut dhe zhvillimit tonë bashkëkohorë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në LDK janë kërkesë dhe proces i domosdoshëm pas humbjes me 14 shkurt, ngase askush nga ne nuk mund t’i ikë përgjegjësisë politike për këtë rezultat të dobët.

Prandaj, reformat janë urgjente, ato duhet të jenë të thella dhe gjithëpërfshirëse. Për këtë na nevojitet përfshirja aktive e aktivistëve të cilët janë lënë anash, sidomos themeluesit dhe bartësit e rritës dhe forcimit të LDK-së pas mbarimit të luftës, rikthimin në strukturat udhëheqëse të gjithë aktivistët që i qëndruan besnik parimeve demokratike si dhe idealeve kombëtare, por që mjerisht u injoruan dhe u lanë anash pa të drejtë.

Unë, mbetem gjithnjë i vendosur në kërkesën se LDK-ja duhet të reformohet sa më shpejt që është e mundur, ngase tani gjendemi para një rreziku mjaft të madh, që, po qese nuk fillojmë menjëherë me punë dhe aktivitete konkrete, në zgjedhjet e ardhshme komunale do të pësojmë edhe më keq se javën e kaluar!

Pra, tani gjendemi para një situate të rëndë e cila kërkon analizë të plotë në kuadër të strukturave partiake, për çka besoj fuqishëm se vetëm së bashku me ata të cilët e duan demokracinë dhe LDK-në, mund t’ia dalim ta shpëtojmë atë si dhe ta kthejmë aty ku duhet ta ketë vendin, si parti popullore, bartëse e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si shtyllë e themelimit të shtetit të Kosovës dhe rindërtimit të saj pas luftës.

Anëtarësia jonë bashkë me votuesit tanë e kanë thënë fjalën e tyre, kurse neve na mbetet t’i marrim seriozisht mesazhet e aktivistëve tanë dhe brezit të ri, i cili Kosovën e ka mbi çdo interes tjetër.

Ne do ia dalim.

Miq dhe simpatizantë të LDK-së, çdo këshillë e juaja dhe kritikë parimore do jetë e mirëseardhur për ne. Unë kam qëndruar këtu edhe kur shtrohej pyetja: a do kthehet LDK-ja atëherë kur u nda në dysh, dhe tani kur e humbëm gjysmën e elektoratit, këtu do të jem prapë së bashku me gjithë ata të cilët asnjëherë nuk u hamendën në LDK-në në krye me liderin tonë historik, Dr. Ibrahim Rugovën!/Enkas për Mediafokus.info/

(Autori është nënkryetar i LDK’së)