Maqedonia e V. regjistron pesë raste të reja me variantin Delta

Ministri i Shëndetësisë

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar pesë raste të reja me variantin delta të koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se tri raste janë zbuluar ditëve të fundit në Shkup dhe nga një rast në Kumanovë dhe Tetovë.

Filipçe bëri të ditur se në Maqedoninë e Veriut, përveç variantit Delta, ekzistojnë edhe mutacione tjera të koronavirusit, për të cilat, siç tha ai, shërimi i vetëm është vaksina kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

VIDEO:

Prandaj, ai u bëri apel qytetarëve që të bëhen pjesë e procesit të imunizimit për të parandaluar një valë të dytë të sëmundjes, por edhe për të shmangur shtrimin në spital dhe ndërlikimet e rënda, të cilat mund të sjellin pasoja fatale.

“Për të gjitha mutacionet, vaksina është shpëtimi i vetëm dhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo është mënyra e vetme se si mund t’i japim fund pandemisë. Tani jemi duke analizuar se sa të vaksinuar janë në sektorët që janë fokusi ynë kryesor dhe sipas të dhënave që posedojmë mbi 85 për qind e stafit shëndetësor janë vaksinuar, mbi 54 për qind në kopshte aq sa edhe në shkolla … Nëse përballemi me një valë të re, ne po shqyrtojmë mundësinë për disa kufizime të reja”, ka deklaruar Filipçe pa dhënë detaje se çfarë mund të përfshijnë kufizimet.

“Vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por në të njëjtën kohë ne po shqyrtojmë futjen e disa kufizimeve nga shtatori ose tetori nëse përballemi me një valë të re. Sidoqoftë, të gjithë nuk mund të vuajmë sepse dikush nuk vaksinohet. Ne nuk mund të jetojmë të mbyllur. Bota duhet të funksionojë, të jetë e hapur, kjo është arsyeja pse vaksina është shpikur, për të rikthyer jetën në normalitet”, ka deklaruar Ministri Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Të hënën Maqedonia e Veriut nisi edhe vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 deri 17 vjeç. Në sistemin nacional janë paraqitur rreth 1,800 persona dhe deri tani janë vaksinuar rreth 500 fëmijë.

Deri të martën numri i të vaksinuarve ka arritur në mbi 463 mijë.

Rreth 250 mijë persona kanë marrë nga dy doza të vaksinës.