Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet për të nisur negociatat me BE-në

Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet për të filluar negociatat qasëse me Bashkimin Evropian, ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hajko Mas.

Konferenca e parë ndërqeveritare, sipas tij duhet të ndodh gjatë kryesimit portugez, edhe për shkak të besimit të madh që e kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, dhe për shkak të interesit të BE-së për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.

VIDEO:

“Kushtet, për qasje në Bashkimin Evropian i ka përmbushur që një kohë të gjatë. Për këtë, vjeshtën e kaluar u përkushtuam shumë që të hapim konferencën e parë qasëse në kuadër të kryesimit tonë. Por, atëherë nuk arriti, dhe tani në kohën e kryesimit portugez dhe më tej punojmë në atë, sepse konsiderojmë se jo vetëm që ka kuptim, por është e patjetërsueshme”, tha Mas.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në konferencën e përbashkët me homologun e tij gjerman, Hajko Mas për raportin me Bullgarinë, ka thënë se samitet e Bashkimit Evropian që kryesisht mbahen në muajin qershor, janë një motiv për tërë Ballkanin Perëndimor dhe mundësi për BE-në që të fuqizojë kredibilitetin në procesin eurointegrues.

“Samitet e qershorit të Bashkimit Evropian ofrojnë mundësi të papërsëritshme që të bëjmë hapin e vërtetë – operacionalizimin e vendimit për fillimin e negociatave nëpërmjet miratimit të kornizës së negociatave dhe mbajtjes së seancës së parë ndërqeveritare si nisje formale e negociatave. Hapi i këtillë do të jetë motiv i domosdoshëm për tërë rajonin dhe do ta fuqizojë kredibilitetin e procesit eurointegrues”, deklaroi Osmani.

Në anën tjetër, Gjermania edhe një herë ka bërë të qartë se është në anën e Maqedonisë së Veriut./Insajderi.com