Mbi 60 lëmoshëkërkues lëvizin brenda ditës në Prishtinë, numri i tyre rritet kur vijnë mërgimtarët

Gra, fëmijë e të moshuar me rroba të leckosura që shtrijnë dorën për lëmoshën e atyre që kalojnë, janë ndër pamjet që shihen po thuajse çdo ditë në rrugët e Kosovës. Vetëm në kryeqytet, rreth 50-60 lëmoshëkërkues lëvizin brenda ditës, e gjatë ngjarjeve dhe festave të ndryshme numri i tyre rritet deri në mbi 100 të tillë.

Por, shumimi i këtyre personave ndodhë edhe më shumë gjatë sezonës së verës kur në vend vijnë mërgimtarë nga diaspora, pasi që mundësia e përfitimit nga ta është më e madhe.

Kështu është  shprehur në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, drejtori i Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Vebi Mujku.

Ai ka shtuar se kjo qendër, e cila funksionon në Kuadër të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi koordinon aktivitetet me Policinë e Kosovës dhe partnerët tjerë në trajtimin e lëmoshkërkuesve.

VIDEO:

“Ne kemi zhvilluar edhe në të kaluarën fletushka informuese për qytetarët dhe vozitësit, duke ndikuar në ngritjen e vetëdijes se dhënia e lëmoshës nuk i ndihmon ata, por vetëm sa e rritë numrin e tyre nëpër rrugët e Prishtinës”, tha ai.

Sipas Mujkut, në Komunën e Prishtinës tashmë  është hapur edhe qendra për qëndrim ditor, e cila menaxhohet nga organizata “OJQ Terre Des Hommes”, që ushqen, pajisë me veshje dhe edukon fëmijët që kanë nevojë.

Lidhur me këtë redaksia ka kontaktuar koordinatoren e kësaj qendre, Egzona Gashi, e cila ka thënë se në monitorim me psikologen dhe punëtoren sociale bëjnë identifikimin e fëmijëve që qëndrojnë në rrugë dhe atyre lëmoshëkërkues.

Ajo ka deklaruar se numri i fëmijëve që përfitojnë nga aktivitetet dhe shërbimet e qendrës është rreth 20-30 në ditë, ndërsa mosha e tyre sillet nga 6 deri 16 vjeç.

“Qendra është hapur në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me komunën e Prishtinës. E aktualisht funksionojmë nga donatorët dhe projektet”, ka shtuar Gashi.

Ajo më tej tha se përveç fëmijëve nga komuniteti rom, ashkali e egjiptian ka edhe fëmijë shqiptarë.

“Numri më i madh është nga komuniteti rom, ashkali e egjiptian. Gjithashtu shërbime në qendër marrin edhe fëmijë shkollar, të lagjes në nevojë për mbështetje edukative e psiko-sociale dhe me qëllim socializimi dhe integrimi të gjithë fëmijëve pa dallim”, është shprehur koordinatorja e kësaj qendre.

Ndërsa, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i ka thënë redaksisë se bazuar në raportet aktuale, të raportuar nga Qendrat për Punë Sociale, gjithsej 119 fëmijë që janë identifikuar në punë të rënda që janë kryesisht në këto sektorë: Bujqësi dhe pylltari, sektorin e ndërtimtarisë, sektorin punë në rrugë lëmoshëkërkues.

Sipas ministrisë, aktualisht janë të angazhuar në përgatitjen e kornizës ligjore dhe programeve për mbrojtën e fëmijëve.

“Fillimi i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës do të mundësojë ngritjen e shërbimeve për mbrojtën e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, lëmoshëkërkues në situatë rruge, duke zbatuar masat dhe shërbimet e parandalimit, mbrojtjes sociale, rehabilitimit dhe ri-integrimit”, ka thënë ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Më tej, në përgjigje thuhet se MPMS-ja bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës, në reduktimin e rasteve të lëmoshëkërkuesve.

“Të dhënat që kemi janë zakonisht fëmijë që kërkojnë lëmoshë, por që janë të përcjellë nga prind dhe në këto raste Policia e Kosovës ka ngrit disa kallëzime penale për prindërit që kërkojnë lëmosh me fëmijët e tyre dhe njëkohësisht janë marr masa për largimin e tyre duke bashkëpunuar me Qendrat për Punë Sociale në dhënien e shërbimeve të nevojshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, Policia në përgjigjet e dërguara për Insajderin ka thënë së në bashkëpunim edhe me akterë të tjerë mundohet të identifikojë numrin e këtyre personave, të cilët sipas tyre qëndrojnë në kushte të papranueshme fizike, sociale, psikologjike, nuk shkojnë në shkollë dhe shpesh herë janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

Nga policia bëjnë të ditur se në vitit 2019 janë evidentuar gjithsej 232 persona lëmoshëkërkues, ndërsa në 2020 është rritur numri, duke u evidentuar gjithsej 236 persona./Insajderi.com