Mehaj deklarohet rreth planit për shërbimin ushtarak

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi të mërkurën se do të punojnë në hartimin e një plani për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, mirëpo sipas tij, kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti.

Ai në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica se cili është qëndrimi i tij lidhur me këtë çështje, tha se ka disa probleme me çështjen e buxhetit dhe duhet një plan më afatgjatë.

VIDEO:

“Kur është çështja te detyrimi ushtarak, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka qejf kjo mos me ndodhë. Por, duhet të jemi realist. Ne do të punojnë në planin e detyrimit ushtarak në të ardhmen, do ta shqyrtojmë, sa na përket buxheti, duhet të fillojmë prej arsimit. Në Norvegji janë rreth 60 mijë brenda vitit 10 mijë i zgjedhin për me kry detyrën për me mbrojtë shtetin. Një plan do ta kemi në të ardhmen, po na duhet kohë sa i përket detyrimin ushtarak”, tha ai, duke bërë të ditur se nuk e di se sa buxhet do t’i duhej shtetit për këtë.

“Sa buxhet duhet me të vërtetë më shumë kohë, duhet një plan gjithëpërfshirës, edhe kazerma ushtarake. Të ardhmen do të ju përgjigjem më detajisht, po në plan qeverisës është”, tha ai./Insajderi.com