Mërgimtarët telashe me sigurimin: ‘Dil e hyrë’ nga kufiri për të marrë policën e sigurimit të veturës

sigurimi

Mërgimtarët të cilët kanë vetura me tabela të huaja në Kosovë, por që duan të bëjnë policën e sigurimit do të duhet që të dalin jashtë kufirit të Kosovës, e të hyjnë prapë me ato vetura në mënyrë që të marrin këtë policë, ndryshe një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Qeveria e Kosovës nga data 1 korrik 2021, ka marrë vendim që të subvencionojë pagesat e sigurimit kufitar, vetëm për automjetet dhe motoçikletat me targë të huaja të regjistruara në emër të personave fizik dhe juridik.

VIDEO:

Periudha e pajisjes me policë të sigurimit ka filluar pra me datë 1 korrik dhe mbaron me datë 31 dhjetor 2021. Një subvencionim i tillë nuk bëhet për automjetet e regjistruara në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

Edhe pse në vendimin e lëshuar të Byrosë Kosovare të Sigurimit, thuhet se polica e sigurimit kufitar mund të merret në të gjitha pikat kufitare të shitje, mërgimtarit Shaip Kadriaj nga Suhareka, që jeton në Zvicër, i ka dalë telashe me sigurimin e dy veturave të tij.

Shaip Kadriaj për Metron ka bërë të ditur se ai i ka dy vetura në Kosovë me tabela të Zvicrës, e që ato i ka sjellë në muajin maj në vendlindje, por që tani atyre iu ka skaduar afati i sigurimit.

Ai ka thënë se në pikat kufitare nuk ka mundur që të bëjë sigurimin e këtyre dy veturave në pikat kufitare, duke mos e rrezikuar vetën dhe veturat nga ndonjë aksident i mundshëm.

“Unë kam ardhur nga Zvicra muaj më herët me dy vetura që janë mjaft të kushtueshme dhe tani atyre ju ka skaduar sigurimi i Kosovës, të cilin e kam bërë në pikën kufitare. Për t’i siguruar këto vetura sipas Byrosë Kosovare të Sigurimit, unë duhet ato që ti bart nga Suhareka deri në Vërmicë ose Merdare. Mirëpo unë i kam pyetur në kufi, se nëse Policia më ndal dhe unë nuk kam sigurim, a gjobitem?, ata më kanë thënë qe po. Shqetësimi im është edhe që mund të pësoi ndonjë aksident, e më pas dëmin e veturave nuk mund të ma mbulojë sigurimi, pasi me dokumente ato janë të pa siguruara”, ka thënë Kadriaj.

Tutje ai ka shpjeguar edhe se si kanë thënë Byroja që duhet të bëhet sigurimi i tyre.

“Në kufi më thanë që me ato vetura fillimisht duhet të dalësh jashtë kufirit, pra ta kalojë kufirin e Kosovës me Shqipërinë ose Serbinë, e më pas të futem në Kosovë, e atëherë bëhet sigurimi i tyre. Për të mos rrezikuar veten dhe të tjerët në komunikacion, unë gjatë ditës së sotme (e mërkurë), kam qenë edhe njëherë në pikën kufitare të Vërmicës, pra në pikën e sigurimeve me një veturë tjetër, ku me vete i kam pasur dy librezat e veturave, por as aty nuk ma bënë sigurimin. Me këtë problem kishte edhe dhjetëra persona tjerë”, ka shpjeguar Kadriaj për Metron.

Kadriaj që jeton e punon në Zvicër, ka thënë se kjo është një maltretim për ta, pasi që për një sigurim duhet të rrezikohet siguria e tij dhe e veturave por, edhe gjobat nga Policia do të ishin të pashmangshme.

“Më pas unë u detyrova të rrezikojë të shkojë me dy veturat në pikën kufitare në Vermicë që i kisha sjellë në Kosovë në muajin maj”, ka thënë në fund ai.